Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi të premten se SHBA ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Në deklaratën e Ambasadës theksohet se veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë paraqitur sfida për progresin që është arritur gjatë shumë viteve.
Sipas Ambasadës amerikane, pezullimi i dialogut strategjik lidhet me shqetësime për veprimet e qeverisë në detyrë, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Ky njoftim ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike dhe institucionale të Kosovës. Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar për Telegrafin se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrë veprime që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Sipas Miftarajt, sulmet e paprecedentë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe veprime të tjera të pakoordinuara nga qeveria në detyrë kanë sjellë situatën ku SHBA vendos të tërhiqet nga dialogu strategjik.
“Fatmirësisht, komunikata e ambasadës bën dallimin mes bashkëpunimit me Kurtin dhe qeverinë në detyrë dhe lidhjen historike me popullin e Kosovës. Ky vendim është kundër qeverisë në detyrë, por nuk cenon interesat strategjike të Republikës së Kosovës. Ai reflekton gjithashtu mbrojtjen e investimit të SHBA-së në mbi tri dekada për popullin e Kosovës në çlirim, shtetndërtim dhe forcimin e rolit ndërkombëtar, duke kërkuar ruajtjen e rendit kushtetues dhe juridik të vendit”, thekson Miftaraj.
Ai nënvizon se ky veprim kërkon reflektim dhe ndryshim të qasjes së institucioneve të Kosovës, duke iu kthyer bashkëpunimit dhe koordinimit me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, pa mbështetjen e SHBA, Kosova ka të vështirë të forcojë rolin e saj ndërkombëtar dhe të avancojë në proceset euro-atlantike.
Vendimi i SHBA ka shkaktuar reagime edhe në sektorin ekonomik. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehën shqetësimin e tyre për pezullimin e dialogut strategjik, duke theksuar se ky proces ishte një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
DhTIK ka rikujtuar se kishte kërkuar që qeveria të hiqte me urgjencë taksën ndaj produkteve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë vlerësuar si të vonuar dhe joefektivë. Nga ana tjetër, kryetari i OEK, Lulzim Rafuna, ka theksuar se pezullimi i dialogut strategjik përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës.
Rafuna ka nënvizuar rëndësinë e krijimit të një imazhi të besueshëm për Kosovën si destinacion i sigurt për investime dhe ka shprehur shqetësimin për mungesën e investimeve të huaja dhe rënien e remitancave nga diaspora, që sipas tij po ndikojnë në gjendjen e vështirë të ekonomisë. Ai gjithashtu përmendi sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë, të cilat kanë shtuar barrët për bizneset.
Të dyja organizatat ekonomike kanë apeluar për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje dhe rikthimin e dialogut strategjik me SHBA, duke kërkuar konsolidimin e politikave ekonomike për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj dhe për të siguruar kushte të qëndrueshme për zhvillim.