Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të suksesshëm në Gjakovë, ku një person u kap në flagrancë me substanca narkotike, ndërsa bastisja në shtëpinë e tij zbuloi edhe një shumë të madhe parash dhe pajisje që lidhen me përgatitjen e drogës.
Rasti u regjistrua të premten mbrëma, në orën 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi”. Njësia policore, gjatë një pikë kontrolli rutinë, ndaloi një motoçikletë që drejtohej nga një shtetas kosovar. Gjatë kontrollit trupor, tek i dyshuari u gjet një sasi prej 12.82 gramësh substancë që dyshohet të jetë marihuanë.
Hetimet nuk përfunduan me kaq. Me urdhër të prokurorit, policia bastisi shtëpinë e të dyshuarit, ku u gjet dhe sekuestrua një sasi e konsiderueshme narkotikësh: 258.46 gramë marihuanë, 6.82 gramë kokainë, katër peshore digjitale, një thikë, një palë gërshërë dhe një lugë e vogël që dyshohet se shërbenin për përgatitjen dhe shpërndarjen e substancës narkotike.
Zbulimet u bënë edhe më të mëdha kur policia gjeti para kesh në vlerë prej 10.935 eurosh, si dhe shuma të tjera në valutë të huaj: 10 franga zvicerane dhe 2000 lekë shqiptarë. Në cilësi provash u sekuestrua gjithashtu motoçikleta me të cilën lëvizte i dyshuari, si dhe një telefon celular.
Pas intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit, i dyshuari u dërgua në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit pritet të vazhdojnë.