Ditën e enjte 18 shtator organizohet në Tiranë takimi me temë “Holokausti dhe Gaza”. Eventi, ku referojnë Fatos Lubonja, Rudian Zekthi, Justinian Topulli dhe Gerdi Demneri, vjen pas botimit në shqip të librit “Industria e Holokaustit” të autorit Norman G. Finkelstein, nga “Pika pa sipërfaqe”.

Shkruan: Gerdi Demneri

 

Holokausti i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga ngjarjet më të tmerrshme të historisë, e megjithatë, pas përfundimit të Luftës, gjenocidi i hebrenjve konsiderohej thjesht si një nga krimet në sërën e krimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe asgjë më shumë.

Siç vëren Normal Finkelstein, midis fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fundit të viteve 1960, holokausti ishte bërë subjekt në një numër të kufizuar librash e filmash dhe në Shtetet e Bashkuara ofrohej vetëm një kurs universitar mbi këtë temë. Jo vetëm amerikanët në përgjithësi, por edhe hebrenjtë amerikanë, përfshirë ata intelektualë, i kushtonin pak vëmendje holokaustit nazist. Ata ndjeheshin të traumatizuar prej tij dhe donin ta ndrydhnin kujtesën për të.

Holokausti u bë një horrorr me jehonë globale, më i famshëm se gjenocidet në Kinë, Bashkimin Sovjetik, Kamboxhia, Perandorinë Osmane, Zaire, apo masakrat e banorëve indigjenë të kontinentit amerikan, edhe pse disa nga këto gjenocide patën mëshumë viktima se holokausti, vetëm pas vitit 1967. Kjo në sajë të industrisë së Holokaustit me “H” të madhe,tëcilin Finkelstein e përkufizon si një përfytyrim ideologjik të holokaustit nazist me “h” të vogël, që si shumica e ideologjive ka një lidhje, qoftë edhe të vagët, me realitetin.

Pothuajse të gjitha të dhënat historike tregojnë se Holokausti do të ngulitej në jetën e hebrenjve amerikanëpas luftës arabo-izraelite të Qershorit 1967. Shpjegimi standard i këtij transformimi thotë se izolimi i skajshëm dhe cenueshmëria e Izraelit gjatë luftës së 6 ditëve ringjallën kujtimet e shfarosjes naziste. E vërteta është se, të impresionuar nga shfaqja e fuqisë dërrmuese të Izraelit në këtë luftë, Shtetet e Bashkuara nisën ta konsiderojnë atë si një aset strategjik. Shpejt u provua se Izraeli ishte shumë më pak i cenueshëm në vitin 1967 se sa jatë luftës së tij për pavarësi në vitin 1948. Industria e Holokaustit vjen në skenë vetëm pas shfaqjes së dominimit ushtarak të Izraelit dhe lulëzoi në mesin e triumfalizmit të skajshëm izraelit. Elitat hebraike e stimuluan këtë industri, jo për shkak të dobësisë së Izraelit apo nga frika e një holokausti të dytë, por nga forca që tregoi shteti hebre dhe aleanca strategjike me ShBA-në.

Tani hebrenjtë qëndronin në vijë të parë të frontit duke mbrojtur Amerikën – në të vërtetë qytetërimin perëndimor – kundër hordhive prapanike arabe. Në këtë ofensivë ideologjike, evokimi i persekutimit në të shkuarën shërbente për të refuzuar çdo kritikë në të tashmen. Brenda kuadrit të Holokaustit, antisemitizmi konceptohej si një urrejtje kryekëput irracionale kundër hebrenjve. Evokimi i Holokaustit ishte një dredhi për të deligjitimuar të gjitha kritikat ndaj hebrenjve: kritikat e tilla nuk mund të buronin vetëm se nga një urrejtje patologjike ndaj tyre.

Korniza ideologjike e Holokaustit ngrihet mbi dy dogma kryesore të cilat nuk figuronin askund në diskursin publik para luftës së Qershorit 1967.

E para pretendon se Holokausti shënon një ngjarje historikisht unike.Mospranimi i eksepcionalizmitsë Holokaustit është i barabartë me mohimin e tij. Të krahasoh Holokaustin me vuajtjet e të tjerëve përbën një tradhti totale të historisë së hebrenjve. Ky sakralizim i Holokaustit e mistifikon atë dhe e bën misterin e tij të pakomunikueshëm për të tjerët.

Pandehma për veçantinë e Holokaustit është në fakt një pandehmë për eksepcionalizmin e hebrenjve, një version shekullar i të qenit të tyre një popull i zgjedhur. Holokausti është i veçantë sepse hebrenjtë janë ontologjikisht të veçantë. Veçantia e vuajtjeve i dha hebrenjve të drejtën ta konsideronin veten të denjë për çdo përpjekje që nevojitej për mbijetesë, sepse vuajtja unike sjell një të drejtë unike.

Dogma e dytë aludon se Holokausti shënon kulmin e një urrejtjeje joracionale e të përhershme të johebrenjve ndaj hebrenjve.Kuadri ideologjik i Holokaustit e paraqiti ZgjidhjenPërfundimtare të Hitlerit si kulmimin e urrejtjes mijëravjeçare tëjohebrenjve kundër hebrenjve. Dogma e urrejtjes së përjetshme ka shërbyer për të justifikuar domosdoshmërinë e një shteti hebre si dhe për të shpjeguar shfaqjen e armiqësisëndaj shtetit të Izraelit. Kjo dogmë i ka lënë Izraelit fushë të lirë dhe e ka imunizuar nga çdo censurë e përligjshme: meqë johebrenjtë kanë dashur përherë t’i zhdukin hebrenjtë, atëherë për ata është e lejueshmë çdo gjë në marrëdhëniet me popujt e tjerë, sepse çdo veprim që ndërmarrin hebrenjtë, madje edhe agresioni dhe tortura, përbën vetëmbrojtje legjitime.

Dhe siç mund ta shohin të gjithë, karta e viktimës së Holokaustit ka dhënë prova të jetë arma e përsosur për të shmangur kritikat ndaj Izraelit. Sot dëgjojmë pa pushim se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, çdo kritikë ndaj Izraelit etiketohet menjëherë si antisemite dhe refuzim për të pranuar ekzistencën e një shteti hebre, ndërkohë që imazhi i tmerrshëm i holokaustit i përkujton vazhdimisht njerëzit se krimet ndaj hebrenjve nuk duhet të ndodhin më kurrë, edhe pse tani janë ata që po kryejnë genocid.

Finkelstein më pas vijon me citimin e veprave kryesore që mundësuan zhvillimin Industrisë së Holokaustit. Ai gjithashtu trajton disa nga mashtrimet letrare të krijuara nga kjo industri për të ekzagjeruar vuajtjet e hebrenjve. Mashtrime të tilla si “Zogu i pikturuar”, një libër i shkruar nga emigranti polak Jerzy Kosinski që përshkruan torturat dhe fyerjet seksuale sadiste të kryera nga fshatarët polakë ndaj hebrenjve,i cili supozohej se ishte rrëfim autobiografik i Kosinskit për kohën e tij si fëmijë i vetmuar në Poloninë rurale gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në realitet, Kosinski i shpiku pothuajse të gjitha episodet e tmerrshme që shkroi, ndërsa fshatarët polakë madje e strehuan familjen e tij, megjithëse ishin plotësisht të vetëdijshëm se ishte hebraike dhe se do të futeshin në telashe nëse kapeshin. Megjithatë, “Zogu i pikturuar” u bë një tekst bazë i Holokaustit, best seller dhe fitues çmimesh, i përkthyer në shumë gjuhë dhe i detyrueshëm për t’u lexuar në klasat e shkollave të mesme dhe universitare.

Një shembull tjetër i kujtimeve të fabrikuara të Holokaustit është libri “Fragmente” nga Binjamin Wilkomirski, me përshkrime të një kampi përqendrimi nazist të mbushur me roje sadiste. Ashtu si “Zogu i pikturuar”, “Fragmente” u përkthye në një duzinë gjuhësh dhe fitoi Çmimin Kombëtar të Librit Hebraik, Çmimin Tremujor Hebraik dhe Prix de Mémoire de la Shoah. Yll i dokumentarëve, folës kryesor në konferenca dhe seminare të Holokaustit, mbledhës fondesh për Muzeun Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara, Wilkomirski u bë shpejt një poster boy i Holokaustit. Megjithatë, historianë si Raul Hilberg treguan se libri ishte me të vërtetë një mashtrim.

Në përgithësi, memoaret klasike të kampeve naziste të përqendrimit nuk përputhen me raportimet e të mbijetuarës së Aushvicit Ella Lingens-Reiner, e cila thotë se së këto kampe kishte pak sadistë, jo më shumë se nja 5 a 10%. Në Tetor të vitit 1999, botuesi gjerman i Wilkomirskit e tërhoqi librin e tij nga libraritë dhe pranoi publikisht se autori nuk ishte një jetim hebre, por një zviceran me emrin Bruno Doessekker.

Këta janë dy shembuj të burimeve të dorës së parë. Burimet dytësore brenda bibliotekës së Holokaustit janë edhe më shumë të mbushura me mashtrime dhe propagandë të rreme, burime që citohen gjerësisht edhe sot. Një informacion famëkeq i rremë është ai i qëndrimit të myftiut të Jeruzalemit gjatë holokaustit. Siç shpjegon Finkelstein, edhe pse Haxh Amin el-Husejni nuk ka patur ndonjë rol të rëndësishëm gjatë Holokaustit, Enciklopedia me katër vëllime e Holokaustit i ka caktuar atij një rol kryesor. Myftiut gjithashtu i faturohen bëma kryesore në Muzeun e Kujtimit të Holokaustit në Jeruzalem.Tom Segev shkruan se vizitoriti lihet të arrijë në përfundiminse ka shumë të përbashkëta midis planeve të nazistëve për të shkatërruar hebrenjtë dhe armiqësisë së arabëve ndaj Izraelit.

Apologjetët kanë kërkuar me dëshpërim t’i implikojnë arabët me nazizmin, sidomos pas pushtimit famëkeq të Libanit në vitin 1982, edhe pse historianët e rinj izraelitë i kishin hedhur poshtë pohimet e propagandës zyrtare izraelite. Kështu psh, Bernard Lewis ia ka dalë t’i kushtojë nazizmit arab një kapitull të plotë në historinë e tij të shkurtër për antisemitizmin, dhe tre faqe në historinë e shkurtër të Lindjes së Mesme të 2000 viteve të fundit.

 

Industria e Holokaustit ka deformuar gjithashtu faktet e historisë, gjë që mund të vihet re në muzetë e përkujtimit të Holokaustit në ShBA, më kryesori i të cilëve është Muzeu Përkujtimor i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara në Uashington. Pyetja e parë që shtrohet – thotë Finkelstein – është: Përse kemi një muze të Holokaustit me financime federale në kryeqytetin e vendit? Paramendoni çfarë ankesash dhe akuzash për hipokrizi do të ngriheshin sikur Gjermania të ndërtonte një muze kombëtar në Berlin për të përkutuar jo gjenocidin nazist, por skllavërinë amerikane, ose shfarosjen e amerikanëve indigjenë!

 

Politizimi i muzeut fillon pa hyrë ende në të. Muzeu ndodhet në Sheshin Raoul Wallenberg, kushtuar këtij diplomati suedez që shpëtoi mijëra hebrenj përpara se të përfundonte në një burg sovjetik. Përse nderohet ai dhe jo konti suedez Folke Bernadotte, i cili shpëtoi gjithashtu 450 hebrenj danezë dhe mijëra të burgosur johebrenj nga kampet naziste të përqendrimit, i zgjedhur me unanimitet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të ndërmjetësuar në konfliktin arabo-izraelit në vitin 1948, dhe i ekzekutuar nga organizata militante sioniste Lehi, e udhëhequr në atë kohë prej kryeministrit të ardhshëm izraelit Yitzhak Shamir, ngaqë sipas saj ishte shumë pro-arab?!

 

Sfida kryesore e muzeut ishte se si do të shpjegohej që gjenocidi nazist ndaj romëve kishte ndodhur përpara atij të hebrenjve, sepse epërsia e viktimizimit hebre binte ndesh si me këtë fakt, ashtu edhe faktin qëviktimat e para politike të nazistëve kishin qenë komunistët jo hebrenjtë, dhe viktimat e para të gjenocidit të tyre nuk kishin qenë hebrenjtë, por invalidët.

 

Njohja e gjenocidit ndaj romëve nënkuptonte humbjen e ekskluzivitetit hebre mbi Holokaustin, krahas humbjes së kapitalit moral. Nëse nazistët i kishin përndjekur njësoj romët me hebrenjtë, dogma se Holokausti shënoi kulmin e një urrejtjeje mijëvjeçare tëjohebrenjve ndaj hebrenjve dilte qartësisht e pabazë. Po kështu, nëse zilia e johebrenjve nxiti gjenocidin hebre, a e nxiti kjo zili edhe gjenocidin e romëve? Në ekspozitën e përhershme të muzeut, viktimave johebreje të nazizmit u jipet një vëmendje thjesht simbolike.

 

Përveç memorialeve të Holokaustit, plot shtatëmbëdhjetë shtete të ShBA-së e kanë bërë obligim ose rekomandojnë programe rreth tij në shkollat e tyre, ndërsa shumë kolegje dhe universitete kanë ngritur katedra për studimet e Holokaustit. Pretendimi se Holokausti është pjesë e memories amerikane – argumenton Peter Novick, autor i librit “Holokausti në jetën amerikane” – është një shfajësim moral. Është shumë më e lehtë të dënojmë krimet e të tjerëve sesa të shohim vetet tona. Nga ana tjetër, është gjithashtu e vërtetë se nga përvoja naziste mund të mësojmë shumë për vetet tona.

 

Kështu, doktrina Manifest Destiny e ekspansionizmit amerikan i ka paraprirë pothuajse të gjithë elementëve ideologjikë dhe programatikë të politikës Lebensraum të Hitlerit.

Pushtimin e tij të Lindjes Hitleri e modeloi sipas pushtimit amerikan të Perëndimit.

Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20, shumica e shteteve amerikane miratuan ligje për sterilizimin. Kur miratuan ligjet e tyre të sterilizimit, nazistët i referoheshin në mënyre eksplicite precedendit të ShBA-së.

Ligjet famëkeqe të vitit 1935 i zhveshën hebrenjtëprej shumë të drejtave. Zezakët në Amerikë ishin subjekt i të njëjtit diskriminim ligjor dhe pësuan një dhunë popullore shumë më të madhe se ajo e hebrenjve në Gjermaninë e para luftës.

 

Tradita mburracake perëndimore është gjithashtu thellësisht e mpleksur me nazizmin. Për të justifikuar shfarosjen e të paaftëve, doktorët nazistë përdorën konceptin e ‘jetës së padenjë për jetën’. Në librin “Gorgias”, Platoni ka shkruar: “Them se jeta nuk ia vlen të jetohet nëse trupi i njeriut ndodhet në një gjendje të mjerueshme”. Te “Republika”, Platoni sanksionon vrasjen e fëmijëve që ishin me defekte. Fill pas Luftës sëDytë Botërore, Hannah Arendt shkroi në librin “Origjina e totalitarizmit” se rryma e nëndheshme e historisë perëndimore kishte dalë më në fund në sipërfaqe dhe kishte uzurpuar dinjitetin e kësaj tradite.

 

Megjithatë, holokausti nazist mund të na sensibilizojë ndaj padrejtësive. Në fakt, ishte holokausti nazist ai që e diskreditoi racizmin shkencor, fenomen ky mjaft i përhapur në jetën intelektuale amerikane para Luftës së Dytë Botërore. Sfida sot është bërja e holokaustit nazist objekt i shqyrtimit racional. Anormaliteti i tij nuk buron nga vetë ngjarja, por nga industria shfrytëzuese qëështë ngritur mbi të. Industria e Holokaustit duhej të ishte nxjerrë prej kohësh nga tregu. Industria e Holokaustit ka qenë gjithmonë e falimentuar. Ajo që ka mbetur për t’u bërëështë që një gjë e tillë të deklarohet sheshit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version