E plotësuar: Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar dëshmia e Leonard Ademajt, vëllait të Liridonës, e cila u vra në nëntor të vitit 2023.
Seancat e radhës në këtë rast gjyqësor janë caktuar për 22 shtator, 6 dhe 10 tetor.
Gjatë kësaj seance, vëllai i Liridonës është përgjigjur edhe në pyetjet e Naim Murselit – i akuzuar për vrasjen e saj.
Fillon seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon vëllai i saj
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur tashmë seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në fillim të seancës, Naim Murseli, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës, kërkoi të konsultohet me avokatin e tij.
Tashmë para trupit gjykues ka nisur të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj.
Ditë më parë, i akuzuari Naim Murseli u ekzaminua për çrregullime mendore të mundshme. Megjithatë, ekzaminimet gjetën se ai nuk ka sëmundje mendore apo çrregullim psikologjik.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërsa fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë, u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.