Numri i viktimave po rritet ndërsa Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme me raketa për të tretën ditë radhazi, me Izraelin që paralajmëroi se më e keqja do të vijë. Që nga dita e premte, kur Izraeli nisi një valë masive sulmesh duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane, por duke goditur edhe zonat e banuara, duke shkaktuar hakmarrje, dhjetëra janë vrarë brenda Iranit dhe të paktën 14 në Izrael.
Nga sulmet izraelite në Iran, të paktën 406 persona kanë humbur jetën dhe 654 janë plagosur, sipas “Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut” me qendër në Uashington. Qeveria iraniane nuk ka ofruar shifra të përgjithshme viktimash. Ndërsa në Izrael, të paktën 14 persona janë vrarë dhe 390 janë plagosur. Irani ka lëshuar mbi 270 raketa, 22 prej të cilave depërtuan sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore të vendit, sipas shifrave izraelite. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i Izraelit dhe hapësira ajrore mbeten të mbyllura për të tretën ditë.
Në Izrael, të paktën 10 persona u vranë nga sulmet iraniane gjatë natës dhe të dielën. Katër persona të tjerë, përfshirë një 13-vjeçar, u vranë dhe 24 u plagosën kur një raketë goditi një ndërtesë në qytetin arab të Tamra në Izraelin verior. Një sulm në qytetin qendror të Rehovot plagosi 42 persona.
Në Iran, Ministria e Shëndetësisë raportoi se 224 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmit izraelit të premten. Zëdhënësi Hossein Kermanpour tha se 1.277 persona të tjerë u shtruan në spital, duke theksuar se mbi 90% e viktimave ishin civilë. Dy depozita karburanti në Teheran u goditën nga sulmet izraelite. Media iraniane raportoi gjithashtu se sulmet izraelite kishin shënjestruar selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Teheran, si dhe një objekt të lidhur me ministrinë në qytetin qendror të Isfahanit. Irani, gjithashtu, dërgoi valë raketash balistike dhe dronësh që arritën Tel Avivin dhe Jerusalemin.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për de-eskalim të situatës, ndërsa ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen për të diskutuar konfliktin dhe hapat e mundshëm diplomatikë.