Edhe tentativa e 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, duke e thelluar më tej krizën politike dhe institucionale që po e përshkon vendin.
Procesi i konstituimit është bllokuar në pikën kyçe të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare, por kjo kandidaturë nuk është pranuar nga opozita, e cila vazhdon të qëndrojë në kundërshtim.
Seanca e sotme, që nisi në orën 11:00, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e votimit dhe formimin e komisionit zgjedhor për votim të fshehtë. Nga 82 deputetë të pranishëm, vetëm 43 morën pjesë në votim duke votuar pro, ndërsa pjesa tjetër nuk mori fare pjesë në procesin e votimit – nuk pati as abstenime e as vota kundër.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.
Ndërkohë, partitë opozitare – PDK, LDK, Lista Serbe, AAK dhe Nisma – vazhdojnë të refuzojnë propozimin e anëtarëve për komisionin zgjedhor, duke e bllokuar kështu procedurën parlamentare.
Çështja ishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë një aktgjykim për sqarim të situatës. Megjithatë, interpretimet e ndryshme të këtij vendimi nga subjektet politike kanë penguar zbatimin e tij në praktikë.
Sipas vendimit të Kushtetueses, legjislatura e nëntë ka një afat njëmujor për konstituim, i cili përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ky afat përfundon më 26 korrik.
Ngërçi politik që ka mbërthyer institucionet e Kosovës vazhdon të pengojë funksionimin normal të Kuvendit dhe të gjithë aparatit shtetëror, ndërsa ende nuk ka shenja konkrete se kur mund të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar këtë krizë të thellë.