Sipas Policisë së Kosovës, implementimi i planit policor të quajtur “Java e Sigurisë”, që ka qenë i paraparë të zgjas nga 1 maji deri më 7 maj, do të vazhdoj edhe më tej.

Fushata të cilën e ka filluar Policia e Kosovës për parandalimin e aksidenteve rrugore, ka rezultuar me numër të tiketave të shqiptuara.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë dy javëve të para të muajit maj, në të gjitha rajonet e Kosovës, janë shqiptuar gjithsej 18036 tiketa.

Gjatë javës së parë të muajit janë shqiptuar 9658 tiketa, ndërsa, gjatë pjesës së dytë të muajit janë shqiptuar gjithsej 8378 tiketa.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Telegrafin se angazhimi i Policisë së Kosovës ka për qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, ruajtjen e jetës së qytetarëve si pjesëmarrës në trafik, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

“Policia e Kosovës nuk ka për qëllim ndëshkimin e qytetarëve, por ka për qëllim ngritjen e nivelit më të lartë të sigurisë në trafik, andaj apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, gjatë ngasjes së automjeteve. Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve”, ka thënë Kelani për Telegrafin.

Ndryshe, gjatë muajit të kaluar kanë ndodhur një mori aksidentesh, ku si pasojë e këtyre aksidenteve nëpër rrugët e Kosovës, e kanë humbur jetën katër persona. /TG

Share.
Leave A Reply Cancel Reply
Exit mobile version