Pas përfundimit të seancës së 46-të të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë shprehur shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit, duke vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) po synon të marrë kontroll të plotë të pushtetit, pa përfshirje të gjerë politike.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se Kuvendi, si institucion përfaqësues, është duke reflektuar krizë të thellë për shkak të qasjes aktuale politike. Ai vlerësoi se VV nuk po tregon gatishmëri për ndarje të pushtetit dhe e akuzoi për qasje të mbyllur ndaj partneritetit institucional.
Zemaj deklaroi se, ndonëse Vetëvendosje përdor gjuhë bashkëpunuese në diskurs publik, në praktikë kërkon dominim të plotë politik dhe nuk është e hapur për partneritete të barabarta. Ai përmendi gjithashtu se llogaritja në votat e Listës Serbe për procese vendimtare përbën shqetësim.
Nga radhët e PDK-së, deputeti Jahir Demaku kritikoi qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj institucioneve, duke e lidhur me, siç tha, mungesën e transparencës dhe kontrollit parlamentar. Ai gjithashtu theksoi se gjendja socio-ekonomike në vend mbetet e rënduar.
Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se largimi i përfaqësuesve të Vetëvendosjes nga seanca plenare është një mënyrë për të shmangur përballjen me zhvillimet aktuale në vend. Ajo shprehu pritshmëri se Gjykata Kushtetuese do të japë më shumë qartësi lidhur me situatën aktuale dhe nënvizoi se institucionet nuk duhet të mbesin të bllokuara nga asnjë individ apo grup politik.
Seanca e 46-të për konstituimin e Kuvendit nuk arriti të përmbyllet me zgjedhje të kryetarit, duke vazhduar kështu bllokadën institucionale.