Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj zyrtar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), është takuar me Presidentin e këtij shteti, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, raporton Anadolu.

Pas takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërtuar ndër vite një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm, duke hapur një epokë të re bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Ajo falënderoi Presidentin bin Zayed për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, që nga periudhat më të vështira e deri në ditët e sotme.

Sipas Osmanit, bashkëpunimi mes dy vendeve është konkretizuar në hapa të rëndësishëm, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe kontributet e Emirateve në projekte zhvillimore me rëndësi të veçantë për qytetarët e Kosovës.

“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vazhdimin e projektit të rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, në përputhje me dakordimin tonë të mëhershëm,” deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës vlerësoi gjithashtu lart mirëkuptimin dhe mbështetjen e Presidentit Mohamed bin Zayed për projektet e reja që janë prezantuar së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, por edhe në fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Duke përmbyllur deklaratën e saj, Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe nënvizoi se Kosova mbetet mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen e Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve,” përfundoi ajo.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version