Nga Fatmir Baçi
NJË LIBËR I THJESHTË
“A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria juaj?”
Kurani Fisnik 21;10
Shpeshherë ndodh të lexojmë një libër, i cili: nga njëra anë na shpaloset fare i thjeshtë në rrjedhën dhe në lëvizjen e ngjarjeve, fare i lehtë në tërë sa rrëfen, madje, edhe fare i afërt në tërë sa arrin të zbulojë brenda nesh; nga ana tjetër, tregohet këmbëngulës – ndonëse përmes prosedesh të holla, pothuajse të padukshme, porse të ndjeshme, tmerrësisht të ndjeshme – në tërë sa kërkon të na fshehë, duke u shpalosur thjesht i paarritshëm, i parrokshëm dhe i pakapshëm nga rrjetat brenda të cilave kërkojmë ta ndryjmë, nga kornizat brenda të cilave rrekemi ta ngallmojmë – pavarësisht markës së njohur apo të panjohur, të punuar me finesë a me vrazhdësi, dhe pavarësisht metrikës së vlerave që i brendashkruhet kornizave – nga ato sociologjiket dhe ekonomiket, deri tek ato politiket dhe ideologjiket.
Një paarritshmëri, parrokshmëri dhe pakapshmëri e tillë, fare pranë absolutes, është pjesë e përbërëse e semantikës përmbajtësore, jo asaj formale, të librit si i këtillë, duke na vendosur kësisoj, së pari, dhe krejt vetvetishëm, përballë një para-metri, i cili luan pastërtisht, dhe thelbësisht, funksionin e kriterit dallues mes librit, nga njëra anë, dhe një sasie së fletave të bashkuara en bloc, nga ana tjetër.
Në latinisht, termi “liber” na shpaloset me një natyrë të dyfishtë, nga pikëpamja e gramatikës gjuhësore: është emër dhe mbiemër. Si emër, qysh nga koha kur kultura gojore u zëvendësua nga ajo shkrimore dhe, më pas, librore, termi “liber” shenjon atë që kuptojmë edhe sot e gjithë ditën: një libër, ku fjala është për një shenjim në aspektin formal, i cili nuk vendos askurrfarë dallimi sa i përket përmbajtjes, arsye për të cilën, nuk ka vend për t’iu dhënë habisë, kur dëgjojmë togfjalëshat “libër llogarish”, “libër shitjesh”, e të tjerë të ngjashëm, pasi formalisht e plotësojnë kriterin, apo para-metrin formal të shenjuesit.
Si mbiemër, i cili është shumë më i hershëm në kohë, termi “liber” do të thotë “i lirë”. Kjo natyrë e dyfishtë është tërë sa na shpalos gramatika gjuhësore, e cila mbështetet në thelb tek ajo mund ta cilësojmë me të drejtë si dallueshmëria rregullatore, apo dallueshmëria e shndërruar në rregull.
Ndërkohë që krejt e ndryshme shfaqet pamja që përftojmë nën dritën e gramatikës së koncepteve. Vështruar nën dritën e një gramatike të tillë, mes librit dhe lirisë nuk ekziston një marrëdhënie thjesht dallueshmërie, por një marrëdhënie e ngushtë bashkë-rendimi: liria nuk është libër, por është pikërisht ajo çfarë shpaloset në libër; libri nuk është liria, por është shpalosje e lirisë; libri është shpalosje e lirisë, ndërsa liria është kuptimi i fundëm dhe thelbësor, i librit.
Vështruar në dritën e kësaj marrëdhënieje bashkë-rendimi, libri shpërfaqet në vetvete “topologji” e lirisë, hapësira arkitekturore dhe arkitektonike e saj, qoftë këtu edhe në domethënien më kantiane të këtij termi të fundit. Çfarë do të thotë kjo? Shpalosja është një hapje, një shpërhapje, një hapësirëzim një hapsirë e përqëndruar me premisën e shpërndarjes në lidhje e varësi të mundësive të pritësit për mirseardhjen që ofron në kumt e kuptim, e më tej në përdorimin e saj.
Ndërsa shpalos tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë, libri në të vërtetë hapësirëzon, më së pari, vetveten, duke siguruar kësisoj ekzistencën e vet, madje, vetë mundshmërinë e saj, prej nga ndërlikja besojmë se është më se e qartë: tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë është themeltësia e vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, themeltësia mbi të cilën libri ndërton/përfton vetveten; tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë mund të ekzistojë fare mirë jashtë dhe pa librin, ndërsa libri e ka të pamundur të ekzistojë jashtë dhe pa tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë; tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë është themeli dhe kushti ontologjik i librit, dhe jo e anasjellta, çka Aristoteli e pati kuptuar mjaft qartë, kur tek Etika nikomahease vendos një vijë qartësisht dalluese mes poésis-it, krijimit, dhe qëllimit, télos-it, të poésis-it; në ndryshim nga práxis, poésis nuk e ka qëllimin në vetvete, por tek ajo çfarë shpalos, çka në rastin e librit është tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë. Prej këndejmi, libri është një shpalosje, hapje, shpërhapje dhe hapësirëzim i tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë; hapësirëzimi i tij nuk është qëllim në vetvete, por mjet i shpalosjes, hapjes, shpërhapjes dhe hapësirëzimit të tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë.
Dhe kjo është forma se si na vjen libri, si shpalosje, hapje, shpërhapje dhe hapësirëzim i tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë, që nënkupton lirinë jo sipas koncepteve apo pamësive abstrakte, por konkrete.
Libri vjen tek ne, lirisht, si shpalosje, hapje dhe hapësirëzim i tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë, duke neutralizuar brenda nesh, vetvetiu, tërë çfarë nukështë e lirë, tërë sa na pengon që të jemi të lirë, njëlloj siç neutralizon drita errësirën: na neutralizon egon, që na skllavëron vetveten;orën, që na skllavëron kohën; gjeopolitikën, që na skllavëron hapësirën; mishtoren, që na skllavëron shpirtëroren; qytetaresken, që na skllavëron njeriun; të pavlerën, që na skllavëron vlerën. Libri vjen tek ne si një shpalosje, hapje, shpërhapje dhe hapësirëzim i tërë-sa-është-dhe-duhet-të-jetë-i/e lirë, na neutralizon të pjesshmen, për të na lënë të tërën. Detajet e dukshme dhe ato të padukshme që na dhuron, jemi të shtrënguar t’i ruajmë, në mos përgjithmonë, të paktën deri në një përjetim i ngjashëm, apo më të lartë.
Nëse paraprakisht patëm dijeni për librin apo autorin, se është laureat i ndonjë çmimi të rëndësishëm, pra, libër apo autor i shquar, për një çast rebelohemi falë natyrës së nxituar të egos, më pas edhe habitemi, se si me një libër kaq të thjeshtë ai është laureuar apo ka pushtuar opinionet. Mirëpo detajet vazhdojnë të na mbeten në kujtesë dhe vetëm sa e përforcojnë diçka të tillë. E kur të dhënat për famën e tij i mësojmë shumë më vonë, pas leximit të librit, detajet e mbetura janë më pak kryeneçe në pranim, pasi ndjehemi sikur të ishim ne që e zbuluam.
Thjeshtësia dhe lehtësia e një vepre letrare, veç asaj se mbajmë mbi vete edhe ndërthurjen e një sistemi alarmi jetësor brenda nesh, tejet të ndjeshëm ndaj ngacmimit të së keqes dhe reflektiv drejt së mirës, janë dhe dëshmi e një kultivimi mjaft të gjatë për deri tek ajo vepër. Për të vërtetuar diçka të tillë është mjaft e thjeshtë; me detajet që posedoni nga një libër që ruani në kujtesë, provoni ta ritregoni, apo më keq akoma, provoni ta rishkruani. E pamundur! Do të bini domosdo në banalitetin e një diletanti të pafajshëm. Shkurt, një libër i thjeshtë, dhuroi ato detaje me të cilat u bë i mundur zgjimi i një pjese të pasqaruar te vetja, apo më larg akoma të pangacmuar kurrë më parë.
Duke i kushtuar më shumë vëmendje këtij libri të “thjeshtë”, vërejmë se detajet që zotëron ti prej atij libri, nuk janë ato që erdhën tek unë, e kështu me rradhë, pafundësisht. Kësisoj bindemi, se autorit për t’i shpëtuar përcaktimit të cilitdo prej nesh, i është dashur të penetrojë në disa nivele hapsinore dhe kohore dhe në secilin shkallëzim në shoqëritë njerzore, të rrënojë tabutë e pranuara për të rrëmbyer prej tyre pjesën e natyrshme të secilit.
Për deri këtu, konstatojmë se libri është përplot me risi dhe novacione, të cilat ai libër i thjeshtë i ka dhe dikush tjetër më parë nuk i ka vënë re, nuk i ka guxuar, ose më saktë akoma, nuk i ka ndjerë të nevojshme ato. Mirëpo më tej vërejmë se rrënimi i tabuve, ose nxjerrja në pah e fallsitetit të sistemeve dhe tabuve, për ato sisteme të pranuara deri më atëherë, nuk bëhet kuturu, as thjeshtë në funksion të rrënimit të tyre dhe as për llogari personale të autorit, pasi diçka e tillë nuk do të qe gjë tjetër veçse një përpjekje në favor të një motivi të papërcaktueshëm.
Në pjesën ku autori na paraqitet novator, ai vërtet është i tillë por ama në raport me tabutë e sistemit aktual të trashëguar dhe pranuar (qoftë edhe prej shekujsh), i cili funksionon pavarësisht nga difektet. Duke qenë se novatorizmi i veprës, përsa më sipër na rezulton jo thjeshtë nihilizëm pa kriter, por paraqitje e një të vërtete përballë një manipulimi (sado i kaonizuar qoftë ai) dhe me që kjo e vërtetë qëndron në varësi të një sistemi tjetër fondamentalisht të ndryshëm nga ai ekzistuesi apo i harruari, do të thotë se novatorizmi i veprës na del të jetë konservatorizëm në favor të disa vlerave apo të një sistemi vlerash të neglizhuara më parë me dashje, pasi që dikujt vazhdimisht nuk i ka interesuar e vërteta e natyrshme njerëzore.
Duke tentuar ndriçimin e këtij fenomeni, sikur vetëm pjesërisht, do të prek pikat më nevralgjike të tij (sipas meje) për të shtjelluar pranimin e një libri, të cilin pak më sipër e quajtën “të thjeshtë”. Pavarësisht nga mjetet artistike me të cilat sherbehet autori, terreni ku operon vepra mbetet i pandryshuar nga paraardhësit e saj dhe besoj edhe veprat pasardhëse nuk do mund ta ndryshojnë atë. Konkretisht, fushë veprimi i një vepre është ai i vjetri dhe ngaherë aktuali, drama e individit e shprehur me ndjesi të lartë në formë tragji-komike, në raport me shoqërinë që e rrethon dhe ligjet e pranuara prej saj nga njëra anë, si dhe ligjet për tek njerëzorja e njeriut (Librat e Shenjtë), nga ana tjetër.
Pikërisht diferenca ndërmjet sintetikes së ligjeve të prodhuara nga njerzit për njerzit, të cilat mbrohen rreptësisht prej shtetit, kundrejt të natyrshmes së ligjeve hyjnore të zbritura për njeriun, të cilat sulmohen rreptësisht prej shtetit, është edhe arsyeja e vetme e destabilitetit të individit dhe mospajtimit të tij me të tjerë përreth, por dhe me shoqërinë në përgjithësi. Pa i dhënë rëndësi formës së sistemeve që dominojnë sot botën, pavarsisht pozicionit që ze një individ në një shoqëri të caktuar, ai sidoqoftë është në kurthin e kësaj shoqërie, edhe kur në dukje është në mbrojtje të saj.
Instrumentat e sotëm të shtetit laik kanë vetëm një destinacion, rrënimin e individit në përgjithësi, ose shndrimin e tij në një numër të thjeshë aritmetik, dhe kjo pa përjashtim në të gjitha nivelet, që nga buzëqeshja e sforcuar e liderit, e deri tek dora e shtrirë e lypësit. Çuditërisht edhe pse pasojat e diçkaje të tillë janë katastrofike për njerëzimin, ligjet për ruajtjen e kësaj strukture djallëzore vazhdojnë të shumohen, mbrohen dhe manipulohen rreptësisht herë me mjete të forcës, herë në formën e aperitivit për epshet e pasioneve te verbëra, dhe herë-herë si stimulantë nxitës me referencë dëshirat po për epshet në fjalë.
Edhe pse me pasoja të hatashme për individin dhe shoqërinë në të dy format e realizimit të denatyrimit, kjo gjithësesi bëhet me qëllimin e vetëm për të izoluar njeriun dhe popujt nga kontakti me fjalën e shenjtë, pasi vetëm kështu njeriu do të mund të qartësohej për vlerat që bart dhe liritë e veta burimore që disponon, përkundër gjithë kaosit të pseudovlerave që na serviren dhe në antitezë me sistemin e ngritur me bazë dyshimin që shtyp lirinë e secilit. Duke u ndërgjegjësuar për qëllimin e jetës, me të natyrshmen e vet njerëzore sipas të drejtës së zbritur hyjnore, që nuk e lejon individin në ngasjen e hiperbolave artificiale duke përjashtuar çfarëdo adhurimi apo nderimi të panevojshëm ndërmjet njerëzve, siç bën të pavlefshëm edhe adhurimin e vetvetes.
Është në natyrën e klikave të operojnë me fjalën “popull”, që nga numërimi i votave (farsë që i referohet sasisë, jo cilësisë, pra jo vlerave) për ta quajtur rrjedhimin e mësipërm në mënyrë spekulative “demos-kraci” (demos – hapsirë rrethuar që i referohet bashkësisë, “popull”), dhe për ta mbyllur me pjellën e kësaj të fundit me “Shtet laik”, ku “laik” përsëri i referohet fjalës “popull”. Është vërtet tmerrsisht e dhimbshme dhe cinike që popujt rënkojnë nën peshën e emrit të vet, nën fjalën “popull”. Kjo klikë ka përfshirë rruzullin në të gjitha organizmat administrativë dhe ekonomikë, pjesën më ta madhe të kulturës dhe tërësisht spektrin e propagandës së shtrembëruar fetare. Si një hije e keqe helmuese “Llozha Masone” (balloja e përgjakur e maskave) kontrollon satelitët dhe mediat, bursat financiare dhe qeveritë në të gjitha pikat e globit.
I ndodhur në konditat e mësipërme, individit (konkretisht shkrimtarit dhe heroit) i duhet domosdo një rrugë e gjatë dhe përplot me rreziqe për deri tek e vërteta, e gërshetuar kjo në vepër me gjuhë të stërholluar artistike deri edhe në idiotësi të personazhit, Servantesi, Gogoli, Dostojevski, heroi të jetë spkulant i damkosur dhe i paskrupullt, Makiaveli, Dideroi, Gogoli, Lermontovi. Shpesh na është paraqitur naiv e deri naiv i djallëzuar Shekspiri, Molieri, Gogoli, Dikensi. Rrallë autorët paraqiten të drejtpërdrejtë me masiv gjigand filozofiko-artistik, Dante, Shekspiri, Gëte, Stendali, Tolstoi, Dostojevski etj.
Duhet theksuar këtu se të gjithë autorët e mësipërm janë marrë enkas nga një periudhë historike kur kriticizmi i autorëve, ishte thjeshtë kundër monopolit të kontrollit të mësimeve të shenjta prej një grupi të caktuar njerëzish, pra kundër institucioneve dhe klerikëve, dhe si shembull për këtë monopol, është autori i parë i përkthimit të Biblës në spanjisht, i cili u dogj në turrën e druve bashkë me veprën, ndërkohë që nga ai përkthim ka mbetur vetëm një faqe.
Në fund të shek. XIX dhe nga i gjithë njëqindvjeçari i kaluar e deri në ditët tona, letërsia bëhet hermetike e mbushur me alegori dhe metaforë, pasi që shteti merr formën e plotë dhe të hapur “laike”. Protagonistët e veprave të kësaj periudhe mbajnë njëherësh të gjithë atributet e mësipërme të vendosura në ambient metaforik dhe shpesh hermetik, për të vetmen arsye se ndihen të dhunuar dhe të braktisur nga të gjitha drejtimet e këtij shteti të ashtuquajtur laik, tashmë një sistem tejet i ngatërruar botëror.
Të gjithë autorët bëhen kundërshtarë të hapur të shtetit dhe të institucioneve, përfshirë edhe ato klerike të nënshtruara ndaj shtetit. Ajo që në fillim të shkrimit e quajtën “Një libërtë thjeshtë” nuk është gjë tjetër veçse sinteza e thjeshtësisë së jetës që buron nga e drejta natyrore e njeriut, zbritur përmes Librave të Shenjtë në kundërshtim me sajesën të komplikuar të njeriut për shoqërinë e vet, që gjithmonë ka një grup që interesohet që kjo shoqëri të jetë sa më larg Zotit dhe sa më pranë djallit, për arsyen e thjeshtë, se ato grupe apo klika udhëhiqen nga mësime djallëzore.
