Ndihma humanitare për Gazën vazhdon të mbetet peng i pengesave politike dhe burokratike, ndërsa popullsia civile përballet çdo ditë me vdekje, uri dhe dimër pa mbrojtje. Këtë realitet e pranoi hapur edhe Komisionerja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, e cila nga Brukseli dha një mesazh të pazakontë për nga drejtpërdrejtësia: “Ndihma për Gazën duhet të rrjedhë, jo të pikojë.”

Deklarata e Lahbib erdhi në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, por në thelb ishte një pranim se pavarësisht armëpushimit të shpallur, kriza humanitare në Gaza nuk ka marrë fund. Përkundrazi, sipas saj, palestinezët vazhdojnë të vriten çdo ditë, ndërsa ndihma që duhet të shpëtojë jetë mbetet e bllokuar në kufij.

Komisionerja rikujtoi edhe përvojën e saj personale nga dy javë më parë, kur gjatë një vizite në Egjipt iu mohua hyrja në Gaza një fakt që flet qartë për kufizimet reale në terren dhe mungesën e qasjes humanitare. Qindra kamionë me ndihma vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar në pikën kufitare të Rafahut, ndërsa organizatat humanitare përballen me barriera të shumta administrative, që në praktikë përkthehen në vonesa fatale për civilët.

Nevojat në Gaza, sipas Lahbib, janë ekstreme, veçanërisht në prag të dimrit. Strehimi, ushqimi, ilaçet dhe energjia janë kthyer në luks për një popullsi që jeton nën presion të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, thirrja e saj nuk është thjesht humanitare, por edhe politike: ndihma nuk mund të jetë simbolike apo e fragmentuar, por duhet të jetë e vazhdueshme dhe e mjaftueshme.

Në të njëjtën kohë, Komisionerja njoftoi se në takimin e ministrave do të diskutohen edhe ndihmat humanitare për Sirinë, ku sipas saj rreth 16 milionë njerëz ende kanë nevojë për ndihmë. BE-ja, tha Lahbib, po shqyrton mënyrat se si mund të rrisë kontributin humanitar, paralelisht me përpjekjet për zhvillim.

Megjithatë, pyetja kryesore mbetet: sa do të zgjasë distanca mes deklaratave politike dhe realitetit në terren? Mesazhi i Lahbib nga Brukseli ishte i qartë, por për Gazën koha nuk matet me fjalë, por me jetë njerëzish. Ndihma që “pikon” nuk mjafton më. Ajo duhet të rrjedhë tani.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version