Për dekada të tëra, Gabi Piker ishte hija e Benjamin Netanyahu-t: mik i ngushtë i fëmijërisë, këshilltar i besuar dhe njeriu që kryente detyrat e veçanta që duheshin mbajtur larg syve të bashkëshortes së kryeministrit, Sarës. Por tani, në moshën 76-vjeçare, ai ka vendosur të thyejë heshtjen përmes një interviste tronditëse për gazetën izraelite Haaretz, i shtyrë nga ajo që e quan “ankth për të ardhmen e Izraelit”.

“Zemërimi, zhgënjimi dhe fyerja që ndiej po rriten çdo ditë që kalon”, thotë Piker. Sipas tij, figura që drejton Izraelin sot nuk është më njeriu që ai njihte 30 vite më parë. Ai përshkruan një transformim drastik të kryeministrit aktual: nga një politikan i arsimuar në Harvard dhe MIT, në një udhëheqës të përfshirë në një rrjedhë impulsesh të pakontrolluara.

“Dëmi që i ka shkaktuar shoqërisë izraelite është i papërshkrueshëm. Ai e di çfarë po bën, por është përfshirë në rrjedhën e ujërave… si një degë peme që nuk ka më asnjë kontroll mbi veten”, shton ai.

Një nga pikat më të errëta të dëshmisë së tij lidhet me trajtimin e Noas, vajzës së madhe të Netanyahu-t. Piker rrëfen se shërbente si “mbulesë” për takimet sekrete mes babait dhe vajzës në kafenetë e Jerusalemit, vetëm që këto vizita të mos zbuloheshin nga bashkëshortja aktuale, Sara.

“Disa nga takimet me Noan u zhvilluan nën maskën e takimeve me mua. Unë qëndroja jashtë lokalit si roje”, tregon ai, duke e cilësuar si “poshtëruese” mënyrën se si vajza nga martesa e parë injorohej publikisht.

Në intervistën e tij, Piker nuk kursen as analizën e karakterit të Netanyahu-t, të cilin e përshkruan si të mbrujtur me një ndjenjë pothuajse hyjnore të pushtetit. Ai kujton se si nëna e “Bibit” i pëshpëriste në vesh që në moshën 15-vjeçare se një ditë do të bëhej kryeministër.

“Sipas pikëpamjes së tij, Bibi ka lindur për të qenë mbret. Dhe një mbret nuk paguan për asgjë”, shpjegon Piker, duke treguar se gjithmonë ishte ai që paguante në restorante, pasi Netanyahu nuk mbante kurrë para me vete. Sipas tij, kjo “kopraci” lidhet me bindjen se bota i detyrohet gjithçka.

Sa i përket dhuratave të famshme (Dosja penale 1000), Piker zbulon një tjetër anë të errët: “I jepnin dhurata… shpesh dhurata të dorës së dytë, nga të cilat ndonjëherë harronin t’u hiqnin etiketën origjinale, të menduar për dikë tjetër”.

Ai shton se pasioni i Netanyahu-t për purot e shtrenjta dhe jetën luksoze në kurriz të miliarderëve është një “enigmë” e një njeriu që ka para, por që refuzon t’i ekspozojë ato.

Për Piker, ndikimi i Sara Netanyahu-t mbi të shoqin është absolut: “Ajo ushtron shumë ndikim, është e përfshirë në gjithçka dhe ndërhyn shpesh në vendimet që ai merr”. Ai tregon se rrethi i tij është ndryshuar thellësisht, duke u mbushur me njerëz që dikur nuk do ta kalonin kurrë pragun e zyrës së tij.

“Rrethi i tij i afërt ka ndryshuar shumë… Është fyerje për ish-këshilltarët e tij të përmenden krahas njerëzve që e rrethojnë sot”, nënvizon ai.

Sot, Piker e sheh ish-mikun e tij si një njeri të izoluar, i cili çdo veprim e llogarit vetëm në funksion të mbijetesës politike. “Sot ai po sillet si një mashtrues, por një mashtrues jo i sofistikuar. Mendoj se do të përfundojë i poshtëruar në mënyrën më brutale”, përfundon ai.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version