Vjedhjet në muze janë çuditërisht të zakonshme
Dy hajdutëve të maskuar iu deshën vetëm shtatë minuta për t’u futur fshehurazi nga dritarja e Galerisë së Apolonit, për të çarë xhamin e sigurisë së dy vitrinave me anë të prerësve disk – ratifikuese dhe për t’u larguar me nëntë bizhuteri Napoleonike dhe mbretërore. Në orën 9:30 të mëngjesit të 19 tetorit, dyshja përdori një shkallë të montuar në kamion për të hyrë me forcë në Luvër; ata u larguan në të njëjtën mënyrë, përpara se të arratiseshin me skuterë bashkë me dy bashkëpunëtorë. Në nxitim e sipër, ata lëshuan një nga sendet e grabitura.
Grabitja godet në zemër të shtetit francez—dhe të botës së artit. Me gati 9 milionë vizitorë në vitin 2024, Luvri është muzeu më i njohur kudo në botë. Një ish-pallat mbretëror në qendrën historike të Parisit, ai përbëhet nga mbi 400 galeri, ku ekspozohen 35,000 vepra arti. Duke përfshirë qytetërime nga Mesopotamia tek Evropa, koleksioni lidh të kaluarën mbretërore dhe perandorake të Francës me të tashmen e saj republikane. Presidenti Emmanuel Macron e quajti grabitjen një sulm ndaj “historisë sonë”.
Të tetë sendet e marra, të përshkruara si “të paçmueshme” nga zyrtarët francezë, ishin pjesë e koleksionit kombëtar të xhevahireve të kurorës. Të ruajtura në galerinë më madhështore dhe të praruar të muzeut, ato përfshijnë gjerdanin dhe vëthët e stolisur me smeraldë, të dhuruar nga Napoleoni për Marie-Louise për dasmën e tyre në 1810, dhe një diademë e përbërë nga 212 perla, 1,998 diamante dhe 992 diamante me prerje trëndafili, që i përkiste Perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III. Hajdutët morën gjithashtu një gjerdan, një vëth dhe një diademë nga koleksioni i safirit.
Luvri ka qenë në shënjestër edhe më parë—më e famshmja në vitin 1911, kur u vodh “Mona Lisa”—por jo në këtë shkallë. Arthur Brand, një specialist holandez për vjedhjen e veprave të artit, e krahason grabitjen me rrëmbimin e 13 veprave të artit, përfshirë “Koncerti” i Vermeer-it dhe “Krishti në Stuhinë në Detin e Galilesë” i Rembrandt-it, nga Muzeu Isabella Stewart Gardner në Boston në vitin 1990. Deri më tani, vjedhja më e madhe në një muze evropian pas luftës ishte në Amsterdam në vitin 1991, kur kriminelët u larguan me 20 piktura, përfshirë “Patatengrënësit” e Van Gogh-ut. Por “Luvri është grabitja supreme,” thotë z. Brand. “Askush nuk e mendoi se dikush do të guxonte të vidhte në Luvër.” Pacipësia është e denjë për një skenar Hollivudi. Në të vërtetë, në “Lupin”, një serial i suksesshëm francez krimi, protagonisti vjedh nga muzeu një gjerdan diamanti që dikur i përkiste Marie Antoinette-s.
Në realitet, vjedhjet në muze janë çuditërisht të zakonshme. Franca ka dëshmuar një sërë grabitjesh të kohëve të fundit nga muze më të vegjël. Një analizë e 40 vjedhjeve në muze midis viteve 1990 dhe 2022 nga Sandra Clopés dhe Marc Balcells, e publikuar në prill, klasifikon pesë lloje kryesore grabitjesh. Më e zakonshmja, që përbën 15 nga grabitjet, është një grabitje e fshehtë: hajdutët largohen me veprat e artit pa alarmuar agjentët e sigurisë. Grabitjet e tipit “thyej-dhe-rrëmbe”, si ajo në Luvër, janë të dytat më të zakonshme, duke përbërë 11 nga ato të analizuara. Mbi gjysma e sendeve të marra janë piktura; vetëm 4% janë bizhuteri. Më pak se gjysma e tyre gjenden sërish. Hajdutët e Luvrit, thotë një vlerësues arti në Paris, do t’i çmontojnë pjesët, do të shesin arin dhe do t’i ripresin gurët e çmuar. Nuk ka treg, thotë ai, për sendet në vetvete.
Në Paris, mendjet tani po përqendrohen te ajo çfarë shkoi keq dhe si të parandalohet që të ndodhë sërish. Gérald Darmanin, ministri i Drejtësisë, tha se grabitja i dha “Francës një imazh të tmerrshëm”. Fakti që një kamion mund të parkohej jashtë Luvrit në një rrugë të frekuentuar një të dielë në mëngjes pa ngjallur dyshime është mjaft shqetësues; fakti që hajdutët mund të largoheshin me xhevahiret e kurorës pavarësisht se aktivizuan alarmet, ngre pyetje serioze për sigurinë e muzeut.
“Sekreti është t’i ngadalësosh hajdutët”, thotë z. Brand. Në shumicën e rasteve, vërejnë znj. Clopés dhe z. Balcells, “hajdutët ishin më të shpejtë në vjedhjen e sendeve sesa sensorët në alarmimin e forcave të sigurisë.” Në një raport të zbuluar, audituesi kombëtar i Francës tregon për vonesa “të vazhdueshme” në vendosjen e pajisjeve moderne të sigurisë në Luvër. Laurence des Cars, drejtoresha e muzeut, e ngriti këtë problem kur mori detyrën në vitin 2021. Por, si në të gjitha muzetë publikë, buxhetet janë të kufizuara. Rachida Dati, ministrja e Kulturës e Francës, foli këtë javë për “40 vjet neglizhencë”. Askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, por presioni politik po rritet që një kokë të bjerë.
