Lamine Yamal ka marrë zyrtarisht statusin e futbollistit më të vlefshëm në botë, sipas përditësimit të fundit të vlerave në treg nga faqja e specializuar për statistika dhe transferime, Transfermarkt.
Vlera e 17-vjeçarit katalanas ka arritur në 200 milionë euro, një shifër rekord për një futbollist kaq të ri, duke e vendosur atë në krye të listës së lojtarëve më të shtrenjtë në botë – jo vetëm në La Liga, por në të gjitha ligat evropiane.
Në sezonin 2024/25, Yamal ishte pa dyshim një ndër figurat më vendimtare në fushë, duke realizuar 18 gola dhe 25 asistime në 55 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai ishte elementi kyç në suksesin e Barcelona-s nën drejtimin e trajnerit të ri, Hansi Flick.
Katalanasit fituan La Ligën dhe Kupën e Mbretit, ndërsa në Ligën e Kampionëve u eliminuan në mënyrë dramatike nga Interi. Megjithatë, paraqitjet spektakolare të Yamalit ndikuan që vlera e tij të rritet me 11.1%, duke tejkaluar edhe emra të mëdhenj të futbollit bashkëkohor.
“Yamal është një lojtar spektakolar që vazhdon të magjepsë tifozët me stilin e tij unik dhe vendosmërinë në fushë,” u shpreh eksperti i Transfermarkt-it, Blaseio. Ai gjithashtu shtoi se kontrata e re e futbollistit me klubin, që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2031, është tregues i qartë se ai konsiderohet si shtylla kryesore e projektit të së ardhmes në “Camp Nou”.
Përveç Yamalit, edhe lojtarë të tjerë të Barcelonës kanë përjetuar rritje të ndjeshme të vlerës në treg:
-
Pedri ka arritur në 140 milionë euro,
-
Raphinha në 90 milionë,
-
ndërsa Pau Cubarsí në 80 milionë euro.
Dominimi i Lamine Yamal në futbollin evropian në këtë moshë kaq të re dëshmon se Barcelona ka në duart një prej pasurive më të mëdha të futbollit botëror, dhe e ardhmja e tij, nëse vazhdon me këtë ritëm, pritet të jetë historike.