Klubi gjerman i Bayern Munichut ka mbyllur çdo derë për spekulimet rreth largimit të yjeve të krahut, Luis Diaz dhe Michael Olise. Drejtori ekzekutiv i bavarezëve, Jan-Christian Dreesen, ka hedhur poshtë çdo zë për interesime nga klubet e tjera, duke theksuar se të dy lojtarët janë pjesë kyçe e projektit të ardhshëm.

Olise, i cili pati paraqitje fantastike me Francën në Kupën e Botës, ishte lidhur me një kalim të mundshëm te Real Madridi. Ndërkohë, Luis Diaz është përfolur për një ofertë të majme nga Arabia Saudite. Megjithatë, Dreesen ka qenë mjaft i prerë, duke mohuar çdo kontakt zyrtar.

“Është befasuese të shohësh çfarë thuhet kur ti e di të vërtetën. Është interesante,” deklaroi drejtuesi i Bayernit, duke shtuar lidhur me Olisen: “Ai padyshim do të jetë te Bayern sezonin e ardhshëm. Nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Real Madridi, asnjë letër, faks apo email.”

Për sa i përket Luis Diazit, mesazhi ishte po aq i qartë, teksa Dreesen theksoi se klubi do të bënte gabimin më të madh nëse do t’i lejonte largimin: “Do të ishim budallenj nëse do ta lejonim të largohej. Kemi një skuadër shumë të mirë, le t’i lëmë të luajnë dhe të shënojnë gola.”

Të dy futbollistët kanë kontrata valide me Bayernin deri në vitin 2029.

Optimizëm për të ardhmen e Harry Kane

Përveç Diazit dhe Olises, Dreesen foli edhe për sulmuesin Harry Kane, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit të ardhshëm. Drejtori ekzekutiv shprehu optimizëm të lartë se kapiteni i Anglisë do të vazhdojë bashkëpunimin me klubin.

“Ka një dëshirë të madhe nga të dyja palët për të vazhduar. Duhet të shohim se si do të përputhet kjo dëshirë,” u shpreh ai.

Harry Kane, i cili tashmë ka mbushur 33 vjeç, vjen pas një edicioni absolutisht fenomenal me fanellën e Bayernit, ku ka regjistruar shifra të jashtëzakonshme me 61 gola dhe 7 asistime në 51 paraqitje në të gjitha garat.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version