Strehëzat për mbrojtjen e grave në Gjermani po përballen me mbingarkesë të vazhdueshme dhe mungesë të vendeve të lira, ndërsa kërkesat për strehim mbrojtës rriten çdo vit. Situata është aq e rënduar sa shumë gra dhe nëna me fëmijë detyrohen të refuzohen, pavarësisht rrezikut të dhunës që përjetojnë. Navina Reichardt, punonjëse sociale në organizatën “Hilfe für Frauen in Not – Frauenhaus Bonn e.V.”, thotë se pothuajse çdo ditë u duhet t’ua komunikojnë grave se nuk ka vend të lirë. “Jo se nuk kanë nevojë për mbrojtje, por thjesht nuk kemi më hapësirë”, thekson ajo. Shpesh, gratë dërgohen në qytete ose lande të tjera, gjë që sipas saj ndjehet sikur po i kthejnë sërish drejt rrezikut.
Të dhënat e Zyrës Federale të Policisë Kriminale tregojnë përmasat alarmante të dhunës në familje. Vetëm në vitin 2024 janë regjistruar rreth 266.000 viktima – numri më i lartë ndonjëherë – me një rritje prej 3.8 përqind krahasuar me vitin paraprak. Pothuajse 80 përqind e viktimave në rastet e dhunës nga partneri janë gra. Ministrja për Gratë dhe Familjen, Karin Prien, thekson se mesatarisht 15 gra në orë bëhen viktima të dhunës nga partneri. Ajo shton se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta, pasi raportohet vetëm një pjesë e vogël e rasteve.
Ndërkohë, në Gjermani funksionojnë rreth 400 strehëza për gra, ku në vitin 2024 kanë gjetur mbrojtje 14.000 gra dhe më shumë se 15.000 fëmijë. Megjithatë, sipas standardeve të Konventës së Stambollit, mungojnë mbi 12.000 vende shtesë. Studimet tregojnë se një në dy gra nuk gjen strehim në zonën ku banon dhe shumë prej tyre detyrohen të strehohen larg shtëpisë dhe rrjetit të tyre social.
Më të rrezikuara mbeten gratë migrante dhe refugjate, për të cilat barrierat gjuhësore dhe ligjore shpesh e bëjnë pothuajse të pamundur gjetjen e një vendi. Në strehimoren “Autonomes Frauenhaus Bonn”, vendet e lira mbushen brenda orësh. Në disa raste, të ardhurat ose statusi i qëndrimit bëhen pengesë për pranimin e viktimave të dhunës.
Ligji për Mbrojtjen ndaj Dhunës dhe mekanizmat si urdhrat e kufizimit apo monitorimi elektronik për agresorët synojnë të forcojnë mbrojtjen. Për më tepër, Akti i Ndihmës për Dhunën i miratuar në vitin 2025 parashikon të drejtë ligjore për strehim dhe këshillim për të gjitha gratë, pavarësisht statusit financiar apo qëndrimit. Por zbatimi i plotë i ligjit pritet vetëm në vitin 2032, çka dëmton ndërkohë mijëra gra që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
