Si po përballet Kosova me valën e propagandës ruse?

Kosova vazhdon të jetë një objektiv i vazhdueshëm i fushatave të dezinformimit dhe propagandës me origjinë nga Rusia. Këto fushata synojnë të minojnë stabilitetin e vendit, të dëmtojnë imazhin e tij ndërkombëtar dhe të përçajnë shoqërinë.

Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se metodat e përdorura janë të sofistikuara, duke përfshirë përhapjen e lajmeve të rreme përmes rrjeteve sociale, portalet fantazmë dhe manipulimin e opinionit publik. Qëllimi kryesor është të paraqitet Kosova si një “shtet i dështuar” dhe të justifikohet ndikimi rus në rajonin e Ballkanit.

Institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po punojnë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndërtuar mekanizma mbrojtës kundër këtyre sulmeve hibride, por sfida mbetet e madhe.

Në publikimin e raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, që ka targetuar edhe audiencën shqipfolëse tregohet se domeni i Pravda në shqip është aktiv që nga marsi i vitit 2024, ku deri në prill të këtij viti janë publikuar rreth 3 mijë artikuj në gjuhën shqipe, raporton KosovaPress.

Hulumtuesi në Hibrid, Festim Rizanaj tha se “Pravda” është një operacion online i koordinuar me Kremlinin zyrtar që shpërndanë përmbajtje të ndryshme pro ruse përmes webafqeve të maskuara si portale informative.

Ai potencoi se “Pravda” përhapë narrativat pro-ruse dhe kritikon Perëndimin si dhe NATO-n.

Rizanaj tha se pavarësisht numrit të artikujve në gjuhën shqipe, ndikimi i drejtëperdrejtë në audiencën shqiptare është i ulët. Kjo sic tha ai për shkak se përkthimet nuk janë të mira dhe se mungon shpërndarja e tyre në disa nga rrjetet sociale.

Rizanaj potencoi se në mesin e këtyre 3 mijë artikujve ka artikuj pro rus dhe pro serb, ku theksohet bashkëpunimi Moskë-Beograd si dhe glorifikimi liderëve si Vuçiq.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version