Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një përpjekje për të futur në vend monedha të dyshuara të falsifikuara me vlerë mbi 16 mijë franga zvicerane.
Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2025, rreth orës 21:15, në pikën kufitare Hani i Elezit – hyrje.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, një veturë e tipit Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), e drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut me inicialet S. Xh., i lindur më 1981 në Shkup, është ndaluar për kontroll.
“Pas kontrollit të dokumentacionit në vijën e parë, automjeti është selektuar për kontroll të detajuar, ku nën ulëset e përparme të veturës janë gjetur qese plastike të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit, të mbushura me monedha metalike 2 franga zvicerane (CHF), të dyshuara si të falsifikuara”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e hetuesisë, të cilat pas një inventarizimi paraprak kanë sekuestruar gjithsej 8,076 monedha x 2 CHF, që i bie 16,152 franga zvicerane – të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
Prokurori për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Ndaj tij është hapur një rast penal për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Si vetura, ashtu edhe monedhat e dyshuara janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa rasti është dorëzuar te njësia kompetente e hetimeve rajonale për procedurat e mëtejshme.
Policia e Kosovës ka theksuar sërish angazhimin e saj në luftimin e krimit financiar dhe atij ndërkufitar.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, me fokus të veçantë ndaj veprave penale që cenojnë sistemin financiar dhe sigurinë publike”, thuhet në fund të njoftimit zyrtar.