Bashkimi Evropian (BE) dhe Meksika kanë reaguar me zhgënjim dhe kritikë ndaj kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave 30% mbi importet nga këto dy vende duke filluar nga 1 gushti.
Meksika e quajti vendimin e mundshëm të Trumpit një “marrëveshje të padrejtë” dhe theksoi se sovraniteti i saj është i panegociueshëm. Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se BE-ja është e gatshme të ndërmarrë “kundërmasa proporcionale” nëse kjo bëhet e nevojshme.
Pavarësisht kritikave, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Trump ka paralajmëruar se në rast se ndonjë partner tregtar i SHBA-së ndërmerr masa hakmarrëse, ai do të rrisë tarifat edhe më shumë, përtej përqindjes fillestare 30%.
Gjatë kësaj jave, Trump ka njoftuar gjithashtu për vendosjen e tarifave të reja mbi mallrat që vijnë nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, që do të hyjnë në fuqi nga muaji i ardhshëm, sipas BBC-së.
Në një letër që ai i dërgoi presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten, Trump theksoi se SHBA-ja ka pasur për shumë vite negociata për marrëdhëniet tregtare me BE-në, por se është arritur në përfundimin që këto deficite të mëdha dhe të vazhdueshme në tregti janë rezultat i tarifave dhe barrierave që BE-ja ka vendosur.
“Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke,” thuhet më tej në letrën e presidentit amerikan.
Në të njëjtat letra drejtuar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse këto vende vendosin masa hakmarrëse në formën e tarifave ndaj SHBA-së, ai do të përgjigjet me rritje të reja tarifore, duke arritur përqindje të ngjashme, mbi 30%.
BE-ja ka qenë një objektiv i përsëritur i kritikave të Trumpit. Më 2 prill, ai propozoi një tarifë 20% për mallrat që vijnë nga blloku evropian dhe nga dhjetëra vende të tjera partnere.
Ai madje kërcënoi se në rast se negociatat do të vazhdonin të ngecnin, tarifat ndaj BE-së mund të shkonin deri në 50%.
SHBA dhe BE kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje deri më 9 korrik, por deri tani nuk është raportuar për ndonjë përparim në bisedime.