Pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se presidenti amerikan Donald Trump së voni kishte parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, ka reaguar analisti politik Ilir Deda.
Përmes një postimi në Facebook, Deda ka kërkuar llogari lidhur me veprimet që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit nëse, siç u deklarua, shteti ka qenë në rrezik.
“Nëse me të vërtetë paskemi qenë në prag të ‘ndezjes’ me Serbinë, atëherë ku mbeti shteti? A pat mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës? A pat takime ndërmjet udhëheqësve institucional e partiak? A pat biseda me udhëheqës të shteteve të mëdha – Francës, Gjermanisë, Italisë e Britanisë? Me shefin e NATO’s? Apo ndonjë komunikatë publike ku thuhet “… u bisedua për situatën e sigurisë në rajon dhe për nevojën urgjente për depërshkallëzim…? Thirrje për bisedime? Urgjencë e kompromis për konstituim të Kuvendit e Qeverisë? Apo, të gjithë do të zgjoheshim një mëngjes – pa Kuvend e pa Qeveri – duke e marr vesh se u “ndez” situata me Serbinë! A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet? A e dini peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartni, apo nuk i jepni pesë pare?”, ka shkruar Deda.