Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Qeveria e re nuk është formuar. Deri më tani janë regjistruar 46 përpjekje të dështuara për konstituimin e Kuvendit, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja po rritet nga dita në ditë.

Përplasjet politike rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, mungesa e konsensusit politik dhe pazaret për zgjedhjet lokale kanë bllokuar funksionimin institucional. Ndërkohë, “afati kushtetues” i korrikut po afrohet dhe zgjidhja ende nuk shihet askund.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa në fund të marsit u certifikuan rezultatet, duke hapur rrugën për konstituimin e institucioneve.

Por, që nga ajo kohë, vendi ndodhet në një ngërç institucional të paprecedentë, ku Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk është zgjedhur një Qeveri e re.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka insistuar që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë, dhe ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun. Mirëpo, kjo nuk është mbështetur nga partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Si pasojë, vendi ndodhet në një bllokadë të thellë institucionale. Kuvendi nuk mund të miratojë ligje, të formojë komisione, apo të mbikëqyrë qeverinë në çështje të rëndësishme si inflacioni, kriza energjetike apo skandalet që mund të shpërthejnë në ndërkohë.

Çfarë pritet të ndodhë?

Afati për formimin e institucioneve po i afrohet fundit. Nëse deri në fund të korrikut nuk arrihet marrëveshje, për shembull mes LVV-së, Nismës Socialdemokrate dhe përfaqësuesve të pakicave jo-serbe, atëherë zgjedhjet e reja parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Këto zgjedhje pritet të mbahen pas atyre lokale, të planifikuara për 12 tetor.

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, Qeveria Kurti do të mbetet në detyrë deri pas zgjedhjeve lokale, ndërsa kalkulimet politike për balotazhin në disa komuna do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në marrëveshjet eventuale për qeverinë e re. Kjo situatë do të jetë vendimtare edhe për një tjetër çështje të rëndësishme, zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, pasi mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në fillim të vitit 2026.

Në mungesë të një kompromisi politik, vendi po hyn në një cikël të rrezikshëm.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version