Shkruan: Fatmir S. BAÇI
Një fjali e bukur, edhe kur duket e rregulluar si një mozaik i përkryer fjalësh, mbetet vetëm një fjali. Ajo mund të magjepsë syrin dhe veshin, por nëse brenda saj nuk është e endur një rrjetë pyetjesh dhe përgjigjesh, nëse nuk ka një strukturë të tërë antropologjike, ajo nuk arrin të bëhet ide. Sepse bukuria e fjalës është si drita mbi sipërfaqe; ajo ndriçon, por nuk ngroh. Fjalia që nuk ka rrënjë në përvojën njerëzore mbetet si një pasqyrë që reflekton formën, por nuk zbulon thellësinë. Ajo është si një melodi pa rezonancë, që prek veshin por nuk lë gjurmë në shpirt.
Si e tillë, ideja nuk është vetëm një formë gjuhësore; ajo është një përpjekje për të përballuar të papriturën, një mundësi për të gjetur përgjigje aty ku njeriu zakonisht mbetet i zbrazët. Me fjalë të tjera, ideja është akt guximi, mbasi ajo nuk lind në rehati, por në përplasje. Ajo është një lëvizje e brendshme që kërkon të kapërcejë boshllëkun, një dritë që nuk ndriçon vetëm pyetjen, por edhe vetë pyetësin. Në thelb, ideja është një formë e rezistencës kundër zbrazëtisë, një përpjekje për të mos u dorëzuar para heshtjes së botës.
Kur fjalia nuk përmbanë këtë përpjekje, ajo mbetet vetëm dekor i mefshët, pa vizion, pa frymarrje. Por kur ajo lind nga nevoja për të kuptuar, për të ndërtuar kuptim edhe aty ku nuk ka, atëherë ajo fillon të marrë frymë si ide. Dhe fryma e saj nuk është vetëm gjuhësore, është ekzistenciale e pandarë nga asnjë njeri në rruzull, me implikimin e interesave në tërësi.
Asnjë ide nuk është garanci për asgjë. Madje, në momentin kur një fjali pretendohet si garanci, në çastin kur shndërrohet në një sigurim për rrethanat e ardhshme, ajo pushon së qeni ide. Sepse ideja nuk është një kështjellë ku njeriu strehohet nga pasiguria, ajo është një udhë e hapur, ku çdo hap sjellë një rrezik të ri, por edhe një mundësi të re. Ideja nuk premton mbrojtje, por kërkon guximin për të jetuar pa atë siguri labile. Ajo nuk është një përfundim, por një fillim që nuk ka frikë nga paqartësia.
Sepse ideja jeton vetëm aq kohë, për sa është e gjallë, sa kohë që lëviz, shtyn pyetje të reja dhe kërkon përgjigje të reja. Gjallëria e saj nuk matet me numrin e fjalëve, por me thellësinë e lëvizjes që shkakton në mendje. Një ide e vërtetë nuk është e qetë, ajo është e trazuar sepse kërkon të zgjojë, jo të qetësojë. Ajo nuk është një përgjigje që mbyllë, por një dritë që hap dyer të reja në errësirat e mendimit.
Në momentin kur ngurtësohet, ajo konsumohet, shteron, dhe përfundon në botën e sendeve të zakonshme. Ngurtësimi është vdekja e idesë. Ajo bëhet si një gur i bukur, por i ftohtë, një objekt që mund të admirohet, por nuk mund të frymëzojë. Në atë çast, fjalia nuk është më udhërrëfyes, por vetëm dekor, ndërkohë që dekorët nuk e ndryshojnë njeriun, ata vetëm e zbukurojnë sipërfaqen dhe ornamentet përreth e tij.
Një ide e vërtetë nuk mund të jetë objekt i mbyllur, sepse e vërteta e saj është e tillë, gjithmonë hap horizonte të reja, nuk i mbyllë ekzistuesit. Ideja nuk është një gur i skalitur që vendoset në vitrinë, ajo është një dritare që hapet drejt së panjohurës. Ajo nuk kërkon të përfundojë mendimin, por ta startojë duke e zgjeruar atë. Nëse një fjali nuk lë pas vetes hapësirë për lëvizje, për dyshim, për zgjerim, ajo nuk është ide, është përfundim, dhe përfundimi është vdekja e mendimit.
Prandaj, kushdo që mbanë në duar një fjali që dëshiron ta quajë ide, duhet të bëjë një punë të gjatë e të brendshme. Sepse ideja nuk lind nga dëshira për të thënë diçka të mençur, por nga nevoja për të kuptuar diçka të vërtetë, si e tillë, ajo nuk është një zbukurim i mendjes, por një pastrim i shpirtit. Të krijosh një ide do të thotë të hysh në vetvete si në një pyll të dendur, ku çdo rrugë është e pasigurt dhe çdo hap kërkon guxim, ndërkohë që ajo të mundëson njohjen e vetes.
Ai duhet të endë brenda vetes një rrjetë të dendur pyetjesh; çfarë(?), pse(?), si(?), dhe mbi secilën prej tyre duhet të vendosë një përgjigje, jo përgjigje të thatë, jo përgjigje të huazuara, por përgjigje të lindura nga thellësia e shpirtit.
Sepse vetëm përgjigjet që lindin nga përplasja me vetveten kanë peshë. Të mendosh nuk është të mbledhësh fjalë, por të përballesh sinqerisht me zbrazëtinë dhe të kërkosh dritë. Pyetjet nuk janë pengesa, por ura, të cilat vetë si të tilla vihen në shërbimin tënd. Dhe përgjigjet që nuk janë të huazuara, por të lindura, nuk janë thjesht mendime të shpenguara, përkundrazi, janë rrënjë që lidhen me tokën e përvojës njerëzore.
Në këtë mënyrë dhe vetëm në këtë mënyrë fjalia fillon të rrezatojë. Ajo nuk mbetet më një renditje fjalësh të hijshme, por shndërrohet në një dritë që prek të tjerët. Dhe drita e saj nuk është thjesht estetike, ajo është para së gjithash ekzistenciale. Ajo nuk ndriçon vetëm mendjen, por hedh dritë edhe mbi ndjenjën. Fjalia që rrezaton nuk kërkon vetëm të admirohet, por sidomos të kuptohet. Ajo nuk është një zbukurim i gjuhës, por një dridhje e brendshme që kalon nga një shpirt në tjetrin.
Një ide e tillë nuk tërheq thjesht vëmendjen, por kap zemrën e njeriut dhe ia përvetëson edhe ndjenjat më të fshehta. Sepse ideja e vërtetë nuk është një objekt që qëndron përballë njeriut, ajo është një frymë që hyn brenda tij, që implikohet me gjithë interesat e tij, me qëllimin. Nisur nga kjo, ideja nuk kërkon të bindë, por më së pari kërkon të bashkëjetojë. Në atë bashkëjetesë, ndjenjat nuk mbeten të fshehta, ato dalin në dritë, bëhen transparente sepse ideja nuk i gjykon, ajo i pranon.
Në këtë pikë, mund të bëjmë një krahasim me fëmijët dhe prindërit. Fëmijët e botës bartin mbi shpinat e tyre të brishta barrën e ëndrrave dhe dëshirave të prindërve. Ashtu si fjalitë që mbartin pritjet e autorëve, fëmijët mbartin gjithë intensitetin e ëndrrave të papërmbushura të të rriturve. Dhe ashtu si ideja që nuk lind nga pyetja, por nga projekti, edhe fëmija që rritet nën barrën e huaj nuk është i lirë të jetë vetvetja.
Shumë shpesh, ata rriten nën hijen e pritjeve që nuk janë të tyret dhe, dalëngadalë, duke u rritur, ata e hedhin tej atë barrë dhe zhgënjejnë pritjet që u janë imponuar. Por zhgënjimi ndaj ëndrrave të të tjerëve nuk është rebelim, ai i ngjanë hedhjes së prangave që penguan të bëhen vetja, është çlirim. Ai është momenti kur njeriu kupton se nuk mund të jetojë një jetë të huaj, as të artikulojë një ide që nuk është e tij. Ashtu si fëmija që hedh tej barrën, edhe fjalia duhet të heqë dorë nga zbukurimi i imponuar dhe të kërkojë të lindë nga e vërteta.
Gjithsesi, faji në këtë rast nuk është te fëmijët, ai është te prindërit, që mbetën peng të ëndrrave të tyre, që nuk patën guxim të rrezikojnë t’u afrohen, t’i realizojnë dhe që për pasojë, u përpoqën t’i implementonin në jetën e fëmijëve. Ëndrrat e parealizuara nuk zhduken, ato kërkojnë trup tjetër ku të jetojnë dhe në rastin kur prindërit nuk i jetojnë vetë, përpiqen t’i mbjellin në fëmijët, jo si dhuratë, por si detyrim. Në këtë akt, dashuria ngatërrohet me frikën dhe dëshira për vazhdimësi kthehet në plagë që nuk shërohet, por deformon.
Kështu, ata plagosën ëndrrat e bijve të tyre dhe në të njëjtën kohë lanë të pazbatuara ëndrrat e veta, duke i lënë në një udhëkryq pa zgjidhje. Sigurisht që udhëkryqi nuk është vetëm i fëmijës, nga të gjitha këndvështrimet ai është udhëkryq i dyfishtë. Prindi mbetet mes asaj që nuk jetoi dhe asaj që nuk lejoi të jetohej dhe fëmija mbetet mes asaj që nuk është e tij dhe asaj që nuk di si ta gjejë. Në këtë ndërlikim, ëndrra nuk është më dritë, është barrë e rëndë për të dy; për prindin se me padijen e tij deformoi jetën e fëmijës, për fëmijën se me pafajësinë e tij hyri në dilemën e tjetrit.
Një gjë e ngjashme ndodhë me fjalitë që duan të duken si ide, kur ato nuk mbartin brenda pyetjet dhe përgjigjet e shpirtit, kur janë thjesht projeksione të dëshirave të dikujt, ato dështojnë. Fjalitë që nuk lindin nga përballja me vetveten janë si fëmijë të rritur në hije. Ato nuk kanë rrënjë, vetëm formë. Dhe forma pa përmbajtje është si zë pa jehonë, pa intonacione, dëgjohet, por nuk prek. Ideja nuk mund të jetë projektim i egos; ajo duhet të jetë pasqyrim i shpirtit që ka guxuar të pyesë, ka provuar të vuajë, dhe është përpjekur të kuptojë.
Nga që fjalitë e mbyllura nuk janë të rrënjosura në përvojën universale të njeriut, por vetëm në egon e autorit, ato e humbin semantikën e një mundësie më shumë, mbeten peng i tekstit. Të tilla janë fjalitë që lindin nga egoja, si pasqyra që reflektojnë vetëm një fytyrë, nuk kanë dritë për të tjerët. Ato nuk kërkojnë të kuptojnë botën, por të imponojnë vetveten. Ndërsa ideja që nuk del nga përvoja e përbashkët, nuk pasqyron një thelb antropologjik, nuk është urë, është mur.
Ideja e vërtetë nuk është pronë e askujt, ajo lind nga një njeri, por brenda saj duhet të mund të gjenden përgjigjet për çdo njeri, nga i gjithë njerëzimi.
Pikërisht për atë se ideja nuk është një zë që flet vetëm për veten, ajo është një jehonë që kërkon t’i përfshijë të gjithë. Ajo lind në një zemër, por duhet të trokasë në zemrat e shumë të tjerëve. Vetëm atëherë ajo nuk është thjesht mendim, është ndjesi e përbashkët, është kujtesë e përbashkët, është shpresë e përbashkët. Vetëm kështu, ajo bëhet e përbashkët, vetëm kështu mund të zgjojë ndërgjegje dhe të trokasë në dyert e së ardhmes me një surprizë të mirë.
Gjithësesi, ideja që nuk kërkon të zotërohet, por të ndahet, nuk mbetet në të shkuarën, ajo ecën përpara më shpejt se mendësia e njeriut. Ajo nuk është thjesht një kujtim i bukur, por një dritë që ndriçon të ardhmen. Dhe kur troket në dyert e së ardhmes, nuk kërkon të hyjë si pushtuese, por si mikeshë, me një surprizë që nuk frikëson, por frymëzon. Një ide e tillë nuk i përket vetëm momentit të krijimit. Ajo nuk është as e djeshme, as thjesht e sotme, por një rrezatim i vazhdueshëm. Ajo bartë me vete një të tashme që nuk shuhet dhe një të ardhme që lind nga drita e saj.
Ideja e vërtetë nuk ka moshë, ajo është si një yll që ndriçon pa u konsumuar, si e tillë, ajo nuk jeton në kalendar, por në vetëdijen që zgjon. Ajo nuk është kujtim, por prani; nuk është projekt, por puls që rreh të përthithë drejt një kuptimi më shumë. Dhe në atë puls, koha nuk është vijë, por hapësirë ku mendimi lëviz lirshëm, pa frikë nga e shkuara dhe pa iluzionin e luhatshëm për të ardhmen.
Një fjali e zakonshme mund të mbarojë sapo thuhet; një ide e vërtetë nuk mbaron kurrë, sepse vazhdon të frymëzojë, të sfidojë dhe të hapë udhë. Fjalia e zakonshme është si një hap që nuk lë gjurmë, ajo kalon, por nuk mbetet. Ndërsa ideja e vërtetë është si një farë që mbillet në mendje dhe rritet në heshtje, ajo nuk kërkon duartrokitje, por përkushtim, nuk kërkon të pëlqehet, por të kuptohet. Dhe kur kuptohet, nuk mbaron, ajo fillon të jetojë në të tjerët, si një udhë që nuk ka fund, por vetëm kthesa të reja.
Fjalitë e zakonshme i lënë njerëzit ashtu siç i gjejnë, pa asnjë gjurmë të shënjuar. Idetë e vërteta e ndryshojnë njeriun tërësisht, e ripërtërijnë në gjithçka. Fjalitë që kalojnë pa lënë gjurmë janë si era që prek lëkurën, por nuk hyn në frymë. Ndërsa ideja e vërtetë është si një frymë që nuk ndalet në buzë, por zë vend në brendësi. Ajo nuk kërkon të pëlqehet, kërkon të ndjejë, të lëvizë, të trazojë.
Ato nuk janë fjalë që rrëshqasin mbi sipërfaqe, por farë që zënë vend brenda njeriut dhe rriten në çdo përballje të çdo përballje të re.
Dihet që farat nuk bërtasin kur lëshojnë rrënjë, nuk kërcasin kur shpërthejnë sythet e degëve, ato heshtin, rriten dhe nuk ndalojnë. Ideja nuk ka nevojë për zhurmë, sepse fuqia e saj është në rritjen e padukshme. Ajo nuk është një mesazh që përfundon me pikë, por një proces që fillon me ndjesi. Dhe kur zë vend, nuk mbetet thjesht mendim, ajo bëhet pjesë e strukturës së vetëdijes.
Në këtë rritje, ato krijojnë një njeri të ri brenda njeriut të vjetër, një vetvete më të thellë, më të vetëdijshme, më të aftë për të parë kuptimin e jetës. Transformimi nuk ndodhë me fjalë të bukura, ndodhë me ide që guxojnë të prekin atë që është e fshehur. Njeriu i ri nuk lind nga jashtë, por nga brenda, kur ideja e vërtetë e detyron të shohë veten me vështrim të ri. Dhe në atë shikim, kuptimi i jetës nuk është më një pyetje filozofike, është një ndjesi që ndriçon çdo hap.
Me pak fjalë, atëherë kur fjalia e bukur pushon së qeni vetëm fjali e bukur, ka filluar të zgjohet ideja. Ajo bëhet fjalë që nuk shteron, fjalë që lind jetë, fjalë që nuk e lë njeriun të jetë i njëjtë si më parë. Kësisoj, fjalia që lind jetë nuk është më vetëm një tingull i bukur, është një dridhje e brendshme që ndryshon strukturën e vetëdijes. Ajo nuk kalon, ajo mbetet, nuk flet, ajo transformon. Dhe në veprimin e saj, ajo nuk e lë njeriun të kthehet në gjendjen e mëparshme, sepse ka ndodhur një lëvizje e brendshme, një zgjerim i horizontit të kuptimit.
Vetëm atëherë, ajo është ide.
Ideja nuk është emër që i vihet fjalës, është jetë që lind prej saj. Ajo nuk është një etiketë, por një përmbajtje që nuk mund të mohohet. Kur fjalia ka prekur zemrën, ka zgjuar mendimin, ka sfiduar zakonin, atëherë ajo nuk është më fjali, është ide që ka marrë frymë dhe që jep frymë. Dhe kur është ide, prej saj lind fare lehtë një ideologji pozitive, e cila në mënyrë të natyrshme kthehet në idealin e të gjithëve.
Sepse ideja e vërtetë nuk kërkon të sundojë, ajo frymëzon, nuk kërkon të imponohet, ajo përqafohet. Ideologjia që lind prej saj nuk është sistem i mbyllur, por një ftesë e hapur për të jetuar më thellë, më ndershmërisht, më njerëzisht. Dhe kur ajo kthehet në ideal, nuk është sepse është predikuar, por sepse është ndjerë si e vërtetë nga të gjithë.
