Izraeli furnizon rreth 50 për qind të hurmave Medjool që eksportohen në Evropë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre dyshohet se hyn në treg përmes vendeve të treta, me origjinë të fshehur.
Sipas raportimeve dhe analizave të mediave ndërkombëtare, përfshirë Al Jazeera, hurmat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor – të konsideruara të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare – etiketohen thjesht si “produkt i Izraelit” ose paraqiten si me origjinë nga vende të tjera, për të shmangur bojkotet dhe kontrollin rregullator në Evropë.
Tregu global i hurmave vlerësohej 32.7 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe pritet të arrijë 34.5 miliardë në 2026, me projeksion prej 55.58 miliardë dollarësh deri në vitin 2034. Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës dominon me mbi 85 për qind të tregut global. Egjipti kryeson prodhimin botëror me mbi 1.7 milion tonë në vit, i ndjekur nga Arabia Saudite, Irani dhe Algjeria. Megjithëse Izraeli prodhon më pak në volum, ai mbetet eksportues kyç i hurmave premium Medjool.
Izraeli eksporton rreth 35 mijë tonë hurma në vit. Megjithatë, sipas të dhënave sektoriale, vetëm rreth 8,800 tonë prodhohen brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Izraelit, kryesisht në Luginën Arava. Nëse këto shifra janë të sakta, rreth 75 për qind e eksporteve mund të vijnë nga plantacionet në Bregun Perëndimor.
Kritikët e quajnë këtë praktikë “pastrim hurmash” (date laundering), duke pretenduar se produktet nga vendbanimet ri-etiketohen si me origjinë nga Holanda, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe apo edhe Palestina. Në vitin 2014, autoritetet palestineze konfiskuan 20 tonë hurma izraelite që synoheshin të shiteshin si produkte palestineze.
Sipas një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së në vitin 2019, produktet nga vendbanimet nuk mund të etiketohen vetëm si “produkt i Izraelit”; origjina nga vendbanimet duhet të specifikohet qartë.
Ndërkohë, presioni i bojkotit në Evropë është rritur. Co-op në Mbretërinë e Bashkuar ka ndalur furnizimin nga Izraeli, ndërsa fushatat e bojkotit po fitojnë terren në Belgjikë dhe Irlandë. Ekspertët paralajmërojnë se kërkesa e lartë gjatë Ramazanit mund të vështirësojë kontrollet dhe të shtojë shqetësimet mbi transparencën e zinxhirit të furnizimit.
