Njohësi i gjeopolitikës, Mustafë Bajrami, ka paralajmëruar se Britania e Madhe mund të hyjë në një kapitull historik të paprecedentë, nëse kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen si pasojë e krizave politike që kanë përfshirë qeverinë e tij.
Sipas Bajramit, në rast të largimit të Starmerit i cili po përballet me presion të madh për shkak të skandaleve të lidhura me Jeffrey Epstein dhe emërimit të Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara posti i kryeministrit mund t’i kalojë Shabana Mahmoud, aktualisht ministre e Brendshme. Nëse kjo ndodh, ajo do të ishte muslimania e parë që bëhet kryeministre e Britanisë së Madhe.
Shabana Mahmoud është me prejardhje pakistaneze dhe me besim islam. Ajo ka lindur në Birmingham në vitin 1980, ndërsa një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Arabinë Saudite, ku babai i saj punonte si inxhinier civil. Më pas u kthye në Britani, ku ndërtoi karrierën e saj politike. “Asgjë më nuk është siç ka qenë…”, shkruan Bajrami, duke e cilësuar këtë zhvillim si shenjë të një ndryshimi të thellë shoqëror dhe politik.
Ndërkohë, kujtohet se Londra tashmë qeveriset nga një musliman, kryebashkiaku Sadiq Khan, çka sipas analistëve tregon një konsolidim gradual të përfaqësimit musliman në nivelet e larta të pushtetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, Keir Starmer ka mohuar kategorikisht mundësinë e dorëheqjes. Ai ka hedhur poshtë thirrjet për largim, përfshirë edhe atë të Anas Sarwar, udhëheqëses së Partisë Laburiste Skoceze, duke deklaruar se do të vazhdojë betejën politike.
Kriza u thellua pas dorëheqjes së shefit të komunikimit, Tim Allan, dhe më herët të bashkëpunëtorit të ngushtë të Starmerit, Morgan McSweeney, i cili mori përgjegjësinë për këshillimin mbi emërimin e Mandelsonit figurë e lidhur publikisht me Epstein.
Pavarësisht tronditjeve, Starmer ka marrë mesazhe mbështetjeje nga ministra kyç dhe deputetë të Partisë Laburiste, ndërsa nuk ka ende sinjale për një përpjekje të menjëhershme për ta zëvendësuar atë. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se skena politike britanike mbetet në një fazë të hapur dhe të paparashikueshme.
