Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se qëndrimi i saj për t’u tërhequr nga kandidatura për kryetare të Kuvendit nëse nuk merr 61 vota në votim të fshehtë ka qenë një vendim personal, por që është mbështetur edhe nga partia dhe kryetari Albin Kurti.

Pas dështimit të seancës për herë të 40-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu theksoi se kjo duhej të kishte ndodhur qysh në seancën e parë më 15 prill. Ajo kritikoi opozitën që nuk po merr pjesë në votim, duke mos u deklaruar as pro, as kundër dhe as përmes abstenimi.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e ardhshme që do të ftohen nga presidentja Vjosa Osmani. Nuk përjashtojmë as mundësinë që të ketë takime të thirrura edhe nga kryeministri Kurti. Është e pakuptimtë të shkosh në një takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje. Për sa kohë që ne kemi ndërmarrë hapa, edhe kryeministri Kurti i ka përmendur ato pas takimeve të mëhershme. Për kandidaturën time do të ketë vetëm një votim të fshehtë. Nëse nuk i siguroj të paktën 61 vota nga deputetët e Kuvendit, atëherë unë do të tërhiqem. Edhe pse ka qenë një qëndrim i njëanshëm, ai është respektuar nga Kurti dhe Vetëvendosje. Deri tani nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga presidentja Osmani, por sapo të na arrijë, do ta njoftojmë publikun”, tha Haxhiu.

Kandidatja për kryeparlamentare konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje është e hapur për pjesëmarrje në takimet e thirrura nga presidentja, ndonëse deri më tani është zhvilluar vetëm një i tillë. Ajo potencoi se pret që të ketë takime të tjera në ditët në vijim.

Duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Haxhiu theksoi se Kuvendi është i detyruar të konstituohet brenda 30 ditëve, megjithëse kjo çështje nuk ka qenë objekt i kërkesës së partive opozitare si AAK-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, kur kontestuan komisionin për votim të fshehtë. Ajo shtoi se, sipas mendimit të saj, konstituimi duhej të ndodhte më 15 prill – ditën kur është mbajtur seanca e parë.

Pavarësisht kësaj, për herë të dyzetë me radhë ka dështuar përpjekja për ta konstituuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Shkaku mbetet mungesa e kuorumit për të votuar komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë të kryesisë së Kuvendit.

Kushtetuesja ka vendosur që kjo legjislaturë duhet të përmbyllë konstituimin – përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve – brenda një afati 30-ditor.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version