HARRESA
Nga: FATMIR BAÇI
Çdo ndryshim që vjen nga domosdoshmëria e skajshme, mban në vetvete vulën e detyrimit, një dinamikë të pavullnetshme që buron nga nevoja dhe që nuk i sjell njeriut ëmbëlsinë e lirisë.
Është ndryshim që lind nga frika e pasojës, dhe andaj çdo fjalë refuzon të vijë nga vetëdija e kuptimit.
Ajo është përgjigjja e tendosur e njeriut ndaj rrethanave, ku thyhet vizioni shpirtëror i përgjigjes së shpirtit ndaj thirrjes së kohës.
Kur ndryshimi vjen nga skajshmëria e nevojës, ai vetëm konfirmon robërinë dhe nuk sjell kurrë përmbysje.
Sepse njeriu që ndryshon vetëm pse duhet, nuk del nga burgu i rrethanave; ai vetëm zhvendoset në një krah tjetër të të njëjtit burg.
Ajo që e detyron njeriun t’i ngulitë vëmendjen në tokë, është çasti kur shikimi e humb refleksin e vet qiellor.
Toka bëhet i vetmi fushëvështrim, e vetmja brengë, e vetmja horizontale pa horizont.
Shikimi që është krijuar të kërkojë burimin e dritës, tani mat thellësinë e baltës.
Kjo është pamja e njeriut që është përkulur nën peshën e dobisë, që nuk do më të sodisë dhe të çuditet, sepse ka pranuar të kalkulojë dhe të llogarisë.
Atëherë humbet hierarkia natyrore e qenies: shpirti, që duhet ta udhëheqë trupin, bëhet shërbëtore e frikës dhe e përllogaritjes.
Të kapërcesh me ngut ose të anashkalosh pellgje të cekëta e të ndotura; kjo është e gjithë drama e mbijetesës së përditshme njerëzore.
Njeriu vrapon midis rreziqeve të vogla dhe të mëdha, duke zgjedhur vazhdimisht atë që është “më pak e keqe”, gjithmonë në kacafytje, gjithmonë në nxitim.
Ky nxitim është shenja e mungesës së jetës, e mungesës së shikimit drejt së ardhmes.
Të kapërcesh pellgjet do të thotë të marrësh pjesë në cekësinë e botës pa dashur t’i kundërvihesh asaj; t’i anashkalosh do të thotë të pranosh kufizimet, por duke besuar se kështu je bërë më i mençur.
Në të dy rastet, njeriu ka humbur masën e qiellit, ose i është bërë i mjaftueshëm vetëm pasqyrimi i qiellit nëpër pellgje.
Kjo nuk është ndryshim i vërtetë, sepse ndryshimi i vërtetë nuk vjen kurrë nga shtysa e jashtme; ai lind nga pjekuria e brendshme.
Ndryshimi që vjen nga nevoja vetëm shkëmben maskën për të mbuluar të njëjtën frikë.
Ndryshimi i vërtetë është gjithmonë i qetë, i padukshëm, dhe ndodh në çastin kur njeriu vendos të mos ikë më prej vetes.
Ajo që shihet si ndryshim, zakonisht është vetëm përshtatje.
Ajo që nuk shihet, është lindja e një vetëdijeje të re.
Është thjesht vazhdimi i një aleance të lashtë, të shpejtë e të rrëshqitshme, mes arsyes dhe stomakut; një aleancë që është brënda njeriut që nga fillimi, që e ndihmon të mbijetojë, por jo edhe të shpëtojë.
Kjo aleancë është një civilizim i vjetër, i mirëfilltë, i impulseve dhe i arsyetimeve, ku arsyeja shërben si diplomat i dëshirës, ndërsa stomaku si ministër i punëve të brendshme të trupit.
Arsyeja llogarit, stomaku vendos, ndërsa zemra mbetet pa të drejtë fjale.
Dhe kështu njeriu shndërrohet në konsumator racional të kohës së vet, në një qenie që i di të gjitha shkaqet, por nuk di më asnjë qëllim.
Ajo që e thith gjithçka në përditshmëri është graviteti i materies, që e tërheq shpirtin në përsëritjen e të njëjtës ditë.
Në atë vorbull, çdo mendim bëhet rutinë, çdo emocion zakon, çdo shpresë llogaritje.
Njeriu tërhiqet në rrjedhën e ngjarjeve, ashtu si gjethet thithen nga vorbulla e erës: ai lëviz, por nuk e di drejtimin për nga shkon.
E përditshmja bëhet pastaj nëna e harresës, dhe harresa, fëmija i zakonit.
Ndërsa shpirti dhe zemra mbeten në shoqërinë e përjetësisë, dhe ky është kontrasti më i thellë i ekzistencës njerëzore; sepse në çastin kur njeriu e harron shpirtin, shpirti nuk e harron njeriun.
Ai vazhdon shoqërimin e tij të qetë me përjetësinë, përtej vetëdijes sonë, si një nënë që rri zgjuar pranë fëmijës që është i shqetësuar se ka humbur në lojë.
Zemra dhe shpirti vazhdojnë të marrin frymë në ritmin e përjetësisë, ndërsa njeriu merr frymë në ritmin e panikut.
Ata nuk i përkasin kohës, ndaj nuk mund ta ndjekin në përshpejtimin e saj.
Ata mbeten, të palëvizshëm, në qëndrueshmërinë e tyre, duke pritur çastin kur njeriu do të ndalet mjaftueshëm gjatë që t’i dëgjojë sërish.
Të harruar.
Por jo në kuptimin që ata janë zhdukur, por që njeriu nuk i mban më mend si të vetat.
Harresa nuk është mungesa e tyre; është vetëm pasojë e shurdhërisë sonë.
Shpirti nuk pushon së foluri; ne pushojmë së dëgjuari.
Dhe kur njeriu e humb aftësinë të dëgjojë atë brenda vetes atë që nuk flet me fjalë, atëherë çdo ndryshim, çdo lëvizje, çdo vendim, bëhet vetëm koreografi e së njëjtës harresë.
FATMIR BAÇI
Share.

Comments are closed.

Exit mobile version