Gjermania ka nevojë urgjente për më shumë ushtarë, por kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është ende në plane. Në vend të kësaj, Bundeswehr-i ka gjetur një formulë suksesi: rekrutimin vullnetar, dhe rezultatet janë befasuese!
Nga jeta civile në kazermë: Historia e Tomit
A mund ta imagjinoni një të ri gjerman që zgjedh vullnetarisht të marshojë dhe të flejë në krevate marinari në kazermë? Shumë jo, por Tomi, një 23-vjeçar nga Erfurti, po. Ai po mendon seriozisht t’i bashkohet Bundeswehr-it.
“Kombinimi i të qenit në shoqëri dhe i frymës së ekipit më magjeps,” i thotë Tomi DW-së. “Dhe dua të zhvilloj veten më tej.” Me bluzën e tij të zezë dhe trupin prej atleti, Tomi ndodhet në zyrën e këshillimit të Bundeswehr-it në Erfurt, e vendosur mes një supermarketi dhe një palestre. Një vend i pazakontë, por plot me të interesuar, pasi Bundeswehr-i ka nevojë për personel! Motoja është e qartë: “Mos largoni askënd!”
Pse po zgjedhin ushtrinë? Paga, trajnimi dhe patriotizmi!
Përpara se të marrë vendimin, Tomit i duhen më shumë informacione. Tony Baumann, këshilltari me uniformë, e pret me mirësjellje dhe i bën pyetje për përvojën e tij profesionale. Tomi ka shtatë vjet eksperiencë në shëndetësi dhe administratë, dhe e njeh Bundeswehr-in nga një praktikë si nxënës, si dhe nga një shok që tashmë është ushtar.
Për Tomin, shërbimi në ushtri apo misionet jashtë vendit nuk janë problem. “Unë dua edhe t’i kthej diçka vendit tim. Më ka dhënë shumë, arsimim falas për shembull,” thekson ai, duke treguar një ndjenjë të fortë patriotizmi.
Me rreth 182.000 ushtarë dhe 80.000 punonjës civilë, Bundeswehr-i është një nga punëdhënësit më të mëdhenj të Gjermanisë. Ajo tërheq të interesuarit me një gamë të gjerë programesh trajnimi dhe diplomimi. “Këtu ka mundësira që nuk i gjen dot në sektorin privat,” thotë Tomi, i cili po mendon nëse do të fillojë me shërbimin ushtarak vullnetar apo do të angazhohet menjëherë në shërbim afatgjatë.
Testet e rrepta dhe një sukses i ndërgjegjësimit
Vetëm tre kilometra larg zyrës së këshillimit, gjendet kazerma Lëberfeld, shtëpia e qendrës së karrierës së Bundeswehr-it. Këtu, të gjithë aplikantët nga Turingia dhe Saksonia duhet t’i nënshtrohen një sërë testesh rigoroze. Edhe pse nevoja për personel është e madhe, Bundeswehr-i nuk pranon cilindo. Kriteret si shëndeti, përgatitja fizike dhe qëndrimi personal duhet të plotësohen patjetër. Nëse një aplikant nuk respekton rendin demokratik, procesi ndërpritet.
Koloneli Kim Frerichs, drejtues i Qendrës së Karrierës në Erfurt, tregon se rreth një në pesë aplikantë nuk e kalojnë provimin. Megjithatë, ai është shumë i kënaqur me shifrat aktuale: numri i aplikimeve dhe punësimeve është rritur me rreth 20% këtë vit. Kjo është “edhe një efekt i luftës në Ukrainë,” thotë Frerichs, gjë që për shumë është një motivim shtesë. Kështu vazhdon trendi pozitiv nga viti 2024, ku Bundeswehr-it i erdhën gati një të pestën më shumë aplikime se vitin paraardhës.
Ambicia e ministrit: 60.000 ushtarë të tjerë dhe një “shtrëngim i butë”
Bundeswehr-i po zgjerohet sërish, pasi kishte pësuar një tkurrje me rreth 3.000 ushtarë mes viteve 2020-2024. Por sfida mbetet: a do të jetë e mundur të rekrutohen deri në 60.000 ushtarë shtesë në vitet e ardhshme? Ky është plani i Ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), i cili e argumenton këtë me kërcënimin nga Rusia dhe kërkesat në rritje të NATO-s.
Pavarësisht këtij qëllimi ambicioz, ministri mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit vullnetar. Ai dëshiron ta bëjë shërbimin ushtarak më tërheqës, kryesisht përmes pagave më të mira.
Në të ardhmen, të gjithë 18-vjeçarët do të marrin postë nga Bundeswehr-i. Meshkujt do të duhet të plotësojnë dhe dërgojnë një pyetësor, ndërsa femrat mund ta bëjnë këtë vullnetarisht. Pyetësori përmban pyetje lidhur me shëndetin dhe gatishmërinë për të kryer shërbimin ushtarak. Ekzaminimi mjekësor dhe fizik do të rikthehet gradualisht për të gjithë të rinjtë meshkuj.
Pa “elementë të tillë të detyrueshëm,” nuk mund të funksionojë, mendon Kim Frerichs. Pistorius po merr masa paraprake nëse “shtrëngimi i butë” nuk do të mjaftojë: me ligjin e ri të planifikuar për shërbimin ushtarak, ai po përfshin mundësinë për të riaktivizuar rekrutimin e detyrueshëm. Ky opsion synon të përdoret nëse nuk gjenden mjaftueshëm vullnetarë ose nëse situata e rrezikut përshkallëzohet. Projektligji pritet të diskutohet nga kabineti qeveritar në fund të gushtit.
Pse ushtria gjermane është bërë kaq joshëse?
Kthehemi në zyrën e këshillimit në Erfurt. Çfarë i intereson të rinjve që vijnë këtu? “Shpesh pyesin nëse mund të merren me sport ose të marrin patentë shoferi ndërsa janë në ushtri,” shpjegon këshilltari Tony Baumann.
Paratë janë gjithashtu një temë kyçe. “Nuk kemi pse të fshihemi,” thotë Baumann. “Nëse dikush dëshiron të bëjë shërbim ushtarak vullnetar menjëherë pas shkollës, atij i sigurohen 1.800 euro neto këtu. Përveç kësaj, i ofrohet akomodim falas, udhëtim falas me tren dhe kujdes mjekësor falas – kjo është shumë joshëse.”
Edhe pajisjet e modernizuara të Bundeswehr-it luajnë rol. Ato janë përmirësuar ndjeshëm, pasi qeveria gjermane investoi shumë për pajisjen e trupave me armë moderne. Të dish që Bundeswehr-i është i pajisur shumë mirë dhe i azhurnuar teknologjikisht, thotë Baumann, është padyshim një motivim shtesë për aplikantët. Duket se strategjia e Gjermanisë po jep fryte, duke tërhequr një brez të ri ushtarësh të gatshëm për të mbrojtur vendin.