Franca ka akuzuar SHBA-në për shkelje të ligjit ndërkombëtar në lidhje me operacionet e saj ushtarake kundër anijeve të dyshuara për transport droge në Karaibe. Si pasojë, Kolumbia ka ndërprerë shkëmbimin e inteligjencës në shenjë proteste.
Franca ka kritikuar ashpër operacionet ushtarake amerikane në Karaibe, duke i cilësuar ato si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi të martën (11.11) gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Kanada, se Franca i ndjek këto zhvillime me shqetësim. Ai theksoi se në territoret franceze në Karaibe jetojnë më shumë se një milion qytetarë francezë, të cilët mund të jenë në rrezik nëse situata përshkallëzohet.
Sipas ushtrisë amerikane, deri më tani janë kryer të paktën 19 sulme ndaj anijeve të dyshuara për drogë, si në Karaibe ashtu edhe pranë brigjeve të Paqësorit të Amerikës Latine, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 76 personave. Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar gjithashtu dërgimin e aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford” në rajon. Aktualisht, aty janë stacionuar edhe tetë anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë luftarakë F-35. Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar SHBA-në se po përdor këto forca ushtarake si një përpjekje për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Reagime nga vende të tjera
Si reagim ndaj sulmeve amerikane, Kolumbia ka ndaluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara. Të martën, Presidenti Gustavo Petro njoftoi në platformën X se ishin dhënë urdhra në “të gjitha nivelet” e shërbimeve të inteligjencës për të “pezulluar komunikimin dhe kontaktet e tjera me agjencitë amerikane të sigurisë”. Ky urdhër do të mbetet në fuqi për aq kohë sa vazhdojnë sulmet me raketa ndaj anijeve.
Gjithashtu, CNN raportoi, duke cituar burime të brendshme, se edhe Britania e Madhe ka pezulluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me SHBA-në lidhur me anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe. Ky veprim thuhet se është bërë për të shmangur çdo përfshirje në sulme të mundshme. Qeveria britanike ka refuzuar të komentojë zyrtarisht. “Ne nuk komentojmë për çështje sigurie ose inteligjence”, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer, duke theksuar megjithatë se SHBA-të janë “partneri më i ngushtë i Britanisë në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë”.
