Një luftë e nisur me vullnet të lirë është kthyer në një fatkeqësi strategjike për Uashingtonin.
Nga Paul Musgrave, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Georgetown në Katar.
Në fjalimin e tij të dytë inaugurues, Presidenti i SHBA-së Donald Trump shprehu shpresën e tij “që zgjedhjet tona të fundit presidenciale të mbahen mend si zgjedhjet më të mëdha dhe me pasojat më të thella në historinë e vendit tonë”. Duke humbur luftën e tij në Gjirin Persik, Trumpi e ka arritur këtë qëllim. Zgjedhja e tij për të nisur një fushatë kundër Iranit u inkurajua nga të tjerët, por ishte thelbësisht vendimi i tij personal. Kjo ka çuar në një zmbrapsje që shënon një fatkeqësi strategjike shumë më të madhe se disfata e SHBA-së në Luftën e Vietnamit.
Në pamje të parë, disfata në luftën e Iranit nuk i ngjan asnjë humbjeje tjetër ushtarake amerikane. Shpejtësia me të cilën u zhvillua lufta dhe distanca e saj gjeografike e kanë mbështjellë të gjithë këtë sipërmarrje me një tis jorealiteti. Shtëpia e Bardhë nuk u dogj, siç ndodhi në vitin 1814; nuk ka pasur protesta masive kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Edhe nga këndvështrimi im këtu në Doha, ku përgjatë javëve të para mund të shihja dhe të dëgjoja luftën e raketave mbi kokë, këto javët e fundit kanë qenë tejet konfuze. Ndërsa bëja blerjet e përditshme, mbushja makinën me karburant ende të lirë, apo zhvilloja takime në Zoom me bashkautorë mijëra kilometra larg, e kam pyetur veten vazhdimisht: “A është kjo me të vërtetë një zonë lufte?”
Mungesa e viktimave të konsiderueshme nga radhët e SHBA-së fsheh po ashtu përmasat e vërteta të disfatës amerikane. Për hir të së vërtetës, lufta ka qenë tejet vdekjeprurëse: mijëra iranianë, civilë e ushtarakë, kanë humbur jetën në luftime. Amerikanët, megjithatë, kanë pësuar humbje jetësh pamasë më të vogla: deri më sot, kanë rënë më pak se 20 ushtarë amerikanë — dhe shumë prej tyre vetëm në një sulm të vetëm.
Për ta krahasuar, shkalla e asaj që vietnamezët e quajnë “Lufta Amerikane” është marramendëse. Miliona njerëz, kryesisht civilë, vdiqën në një konflikt mbi dhjetëvjeçar të zhvilluar përgjatë qiejve dhe xhunglave të Azisë Juglindore; nga këta, rreth 60,000 ishin amerikanë.
Ajo përvojë ishte aq e hidhur saqë, për një brez të tërë, kur amerikanët përmendnin fjalën “Vietnam”, ata nuk i referoheshin shtetit të mirëfilltë apo shoqërisë që mban atë emër — për të cilin, edhe pas vitesh konflikti, ata kishin një tablo tejet të mangët. Në diskursin amerikan, “Vietnami” u kuptua kryesisht si një metaforë apo simbol i një eksperience kombëtare amerikane.
Për shumë amerikanë të thjeshtë, kjo fjalë nënkuptonte zinë personale. Për disa anëtarë të elitës, Vietnami ishte një histori paralajmëruese mbi mendjemadhësinë që sjell pushteti; ndërsa për të tjerë, ishte një gabim që u bë shkak për mosllogaritjen e duhur strategjike në të tashmen. Megjithatë, ekzistonte një konsensus i përgjithshëm se Vietnami ishte një njollë e errët në ndërgjegjen kombëtare: një sondazh i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale i vitit 2014 zbuloi se 58 për qind e amerikanëve e përshkruanin atë si një “moment të errët” dhe vetëm 12 për qind si diçka me të cilën duhet të krenoheshin.
Ndërlikimi më i madh për t’u kuptuar rreth atij konflikti sot, është pyetja se përse Shtetet e Bashkuara luftuan me kaq ngulm, duke marrë parasysh se në fund rezultoi që konflikti kishte kaq pak rëndësi gjeopolitike për Uashingtonin. Megjithë faktin se politikëbërësit amerikanë pranuan kosto njerëzore që sot do të ishin thuajse të paimagjinueshme, dështimi i SHBA-së në atë luftë, në fund të ditës, pati pak ndikim në objektivat e gjera strategjike amerikane. Që në vitin 1964, debatet e brendshme të qeverisë amerikane e kishin vënë në dyshim “teorinë e dominosë” — idenë se rënia e një shteti nën komunizëm do të tërhiqte zvarrë edhe fqinjët e tij — një teori kjo që më pas do të identifikohej pashmangshmërisht me luftën e SHBA-së në Vietnam.
Fakti që lufta në thelb u provua të ishte e parëndësishme në planin afatgjatë për amerikanët, nuk do të thotë se ishte krejt pa peshë. Destabilizimi i Azisë Juglindore pati pasoja të rënda: varrezat masive të Kamboxhias janë dëshmitarë të heshtur të faturës së një konflikti, pasojat e të cilit kapërcyen kufijtë e Vietnamit dhe vazhduan edhe pasi paqja ishte nënshkruar zyrtarisht. Përfundimi i luftës ishte vendimtar për vetë Vietnamin, ashtu siç qe edhe për dëshpërimin e refugjatëve që u detyruan të iknin në vitet pasuese.
Megjithatë, këto vëzhgime nuk e ndryshojnë faktin se, për vetë Shtetet e Bashkuara, pasojat e një humbjeje kaq të kushtueshme ishin, në planin afatgjatë, relativisht të vogla dhe të kufizuara brenda vendit. Amerika doli triumfuese nga përballja e madhe e Luftës së Ftohtë. Madje, vetë Vietnami sot është një shtet që gëzon marrëdhënie çuditërisht miqësore me Shtetet e Bashkuara.
Krahasojeni këtë situatë me peizazhin pasues të luftës së Trumpit. Sot, Shtetet e Bashkuara gjenden padiskutim në një pozicion shumë më të dobët sesa kur e nisën këtë luftë me vullnet të lirë, duke dëmtuar ashpër objektivat thelbësore strategjike të Uashingtonit.
Vendoseni në kontrast performancën e saj ushtarake gjatë këtij konflikti, me luftën e koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të zmbrapsur pushtimin e Kuvajtit nga presidenti irakian Sadam Husein. Në konfliktin e viteve 1990-1991, lehtësia me të cilën u shpartallua ushtria irakiane la pa fjalë mbarë botën.
Në të kundërt, performanca teknologjikisht superiore e armatimit amerikan në konfliktin me Iranin u la në hije nga shterimi i shpejtë i arsenaleve të saj, duke vënë në dyshim gatishmërinë e SHBA-së për t’u përballur me çfarëdo armiku më të fuqishëm se Republika Islamike. Imazhi thellësisht i ngulitur i luftimeve të teknologjisë së lartë nga ky konflikt, do të mbeten çantat e shkollës të lyera me gjak të nxënëseve iraniane, të cilat u vranë për shkak të atij që dukej të ishte një gabim në bazën e të dhënave (database error). Dhe pavarësisht se sistemet mbrojtëse të SHBA-së funksionuan mirë kundër raketave iraniane dhe dronëve kamikazë, Irani arriti gjithsesi të depërtonte ato sisteme me një efikasitet të lartë, duke ngritur pikëpyetje të forta se si do të reagonin këto mbrojtje përballë një armiku më të sofistikuar ose përgjatë një konflikti më afatgjatë.
Në rrafshin strategjik, pasojat janë shumë më të zymta. Shtetet e Bashkuara arritën vërtet njëfarë “ndryshimi regjimi”: por në vend që ta kthehej Teheranin në një shtet-klientelist të bindur, lufta e bëri Iranin edhe më radikal, duke i lënë Gardianët e Revolucionit Islamik de fakto në drejtimin absolut të vendit. Armatimet amerikane dhe izraelite, sado brutalisht efikase të ishin në ditët e para të luftës, demonstruan përfundimisht limitet e zgjidhjeve thjesht kinetike, gjë që i shërbeu mjaft Iranit. Programi bërthamor i Iranit i ka mbijetuar tashmë dy raundeve të sulmeve të përbashkëta ajrore izraelito-amerikane. Duket e pagjasë që një goditje e tretë të sillte rezultate shumë më të mira.
Goditja ndaj lidershipit të SHBA-së në sistemin global ka qenë edhe më e rëndë. Aleatët rajonalë, shumë prej të cilëve raportohet se ishin shprehur kundër kësaj aventure ushtarake, mbajtën mbi supe peshën më të rëndë të faturës së luftimeve. Por ajo që bie më tepër në sy është se Irani kuptoi që kapaciteti i tij për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit mund t’i ofrojë atij një instrument të fuqishëm shantazhi ekonomik në shkallë globale.
Liria e lundrimit ka qenë një objektiv thelbësor strategjik amerikan për më shumë se dy shekuj; Presidenti Thomas Jefferson dërgoi Marinën për të ndalur pagesën e haraçeve ndaj fuqive mesdhetare në fillim të viteve 1800. Fundi i mundshëm i kalimit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit mund të paralajmërojë kthimin e rrugëve tregtare në një armë lufte, duke shkaktuar një dëm jetëgjatë dhe thellësisht të rëndë për tregtinë botërore.
Mënyra se si përfundon një luftë mund të jetë po aq domethënëse sa edhe mënyra se si ajo nis. Pas “Luftës Amerikane”, Shtetet e Bashkuara mundën t’ia kthenin shpinën Vietnamit dhe fqinjëve të tij, për t’u përqendruar në rajone me rëndësi gjeopolitike më të lartë. Ndonëse një kombinim i tranzicionit global drejt energjisë së gjelbër me prodhimin vendas të hidrokarbureve, mund ta bëjë një dalje të ngjashme nga rajoni i Gjirit tërheqëse për disa qarqe në Uashington, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të rikrijohet i njëjti skenar tërheqjeje si pas Vietnamit.
Në fund të fundit, ekonomia botërore është shumë më e ndërthurur sot sesa në vitet 1970, dhe rajoni i Gjirit luan një rol shumë më të madh në rrjetet ekonomike aktuale krahasuar me Indokinën disa dekada më parë. Zinxhirët e furnizimit global janë strukturuar në atë mënyrë që të varen jo vetëm nga nafta dhe gazi i Gjirit Persik, por edhe nga heliumi, plehrat kimike dhe alumini i tij. Lidhjet, nga ana tjetër, nuk janë vetëm ekonomike. Lidhjet e pashkëputshme të SHBA-së me Izraelin e bëjnë një tërheqje të plotë nga rajoni diçka tepër të vështirë dhe rrisin perspektivën e luftimeve të mëtejshme, me gjasë edhe më të ashpra. Zhvillimi i programit raketor të Iranit, dhe potencialisht atij bërthamor, i bën perspektivat për vitet 2030 shumë më ogurzeza, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Europën dhe Azinë Jugore.
Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se cila administratë do të jetë në pushtet, do të përballen me këto pasoja duke qenë vetë të dobësuara brenda dhe jashtë vendit. Aleatët do të kenë më pak besim në kapacitetet amerikane; publiku i saj do të jetë më pak i gatshëm të mbajë kostot e një angazhimi global qoftë edhe të frytshëm; ndërsa rivalët e saj do të jenë më të prirur të sfidojnë vullnetin e Uashingtonit. Këto pasoja do të jenë pamasë më të thella dhe më jetëgjata sesa vetë dështimi i Amerikës në Luftën e Vietnamit.
Një gjë, megjithatë, do të mbetet e ngjashme. Pas disa dekadash, kur studentët të kthejnë kokën pas për të analizuar këtë konflikt amerikan, do të ngrenë të njëjtën pyetje që bëra edhe unë për luftën e SHBA-së në Vietnam: Përse? Studiuesit do të ofrojnë shumë përgjigje të bazuara thellë në kërkime shkencore, por asnjëra prej tyre, në fund të ditës, nuk do të jetë vërtet shteruese.
