Transatlantizmi si ideologji ka marrë fund, por jo vetë marrëdhënia.

15 qershor 2026

Nga Nathalie Tocci, profesoreshë e praktikës në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Evropë, publikuar në Foreign Policy

Kriza aktuale mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara shënon fundin e një epoke — pavarësisht se kush do ta pasojë Donald Trump-in. Lidhja transatlantike mbështetej në tipare specifike si në rrafshin global, ashtu edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Të gjitha këto tashmë janë zhdukur.

Konteksti ndërkombëtar në të cilin lulëzoi kjo lidhje — fillimisht në periudhën e pasluftës dhe më pas në epokën pas rënies së Murit të Berlinit — ishte një kontekst në të cilin Shtetet e Bashkuara qëndronin si një leviatan liberal. Ato kishin luftuar dhe fituar dy luftëra globale — Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Ftohtë — duke i dalë në mbrojtje vlerave liberale. Këto fitore i mundësuan Amerikës t’i përhapte ato norma, në fillim në Evropën Perëndimore dhe në pjesë të Azisë, e më pas në mbarë botën. Rendi i mbështetur mbi fuqinë e SHBA-së, duke përfshirë organizatat dhe ligjet ndërkombëtare, ishte i brumosur thellë me një etos liberal.

Transatlantizmi ishte i ngulitur në këtë kontekst global; ai përfaqësonte thelbin e tij të brendshëm. Kjo vlente si për institucionet ndërkombëtare ku Shtetet e Bashkuara patën një rol jetik në themelimin dhe udhëheqjen e tyre — duke përfshirë Kombet e Bashkuara, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe NATO-n — ashtu edhe për ato që i mbështeti nga jashtë, me në krye Bashkimin Evropian, thellimin dhe zgjerimin e të cilit SHBA-ja e përkrahu vazhdimisht ndër vite. Ishte një rend në të cilin ligjet dhe normat shkeleshin shpeshherë, përfshirë — e herë-herë veçanërisht — nga Shtetet e Bashkuara ashtu si edhe nga Evropa. Megjithatë, ato njiheshin dhe ndaheshin gjerësisht në të dyja anët e Atlantikut. Ajo ishte gjithashtu një kohë kur SHBA-ja dhe Evropa kishin shpesh mosmarrëveshje rreth politikave, ndonjëherë madje thellësisht. Por ato divergjenca nuk e tronditën kurrë në thelb ndjenjën e thellë të përkatësisë së ndërsjellë apo një besim të përbashkët te vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ai rend liberal tashmë është zhdukur. Kryeministri kanadez Mark Carney e theu heshtjen në Forumin Ekonomik Botëror në janar. Përgjatë krizave të njëpasnjëshme — duke nisur nga 11 Shtatori, përmes krizës globale financiare, krizës së demokracisë liberale, pandemisë së COVID-19 dhe luftërave që kanë shkatërruar Evropën dhe Lindjen e Mesme — rendi liberal ndërkombëtar ka qenë duke u gërryer me ritme të shpejta prej një çerek shekulli. Por, ndërkohë që për vite me radhë besimtarët e tij më të zjarrtë vazhdonin ta mbështesnin vetëm me fjalë, tashmë edhe vetë ata po e pranojnë botërisht se ai ka marrë fund.

Rendi liberal ndërkombëtar ka përfunduar sepse, në sistemin multipolar në të cilin jetojmë, një pluralitet vlerash nuk përputhet lehtësisht me aspiratat universaliste të liberalizmit. E mbi të gjitha, ai ka humbur sepse arkitekti i tij kryesor — Shtetet e Bashkuara — i është kthyer kundër vetë atij rendi, duke e përdorur pozicionin e privilegjuar brenda tij për ta goditur pikërisht në zemër.

Shtetet e Bashkuara nuk janë më as leviatani i dikurshëm dhe as liberale. Duke u sjellë si një fuqi grabitqare dhe duke shfrytëzuar atë që i ka mbetur nga pozita e privilegjuar, SHBA-ja thjesht po e përshpejton rënien e saj relative, veçanërisht në raport me një Kinë joliberale. Kjo është kristal e qartë në fusha si tregtia, energjia, e madje edhe në diplomaci. Ngritja e Pekinit po nxitet pikërisht nga plagët që Uashingtoni po ia shkakton vetvetes: tarifat, ngurrimi kokëfortë për të përqafuar tranzicionin energjetik dhe një luftë katastrofike në Iran.

Fundi i rendit liberal ndërkombëtar fshin përfundimisht kontekstin global në të cilin transatlantizmi lindi dhe lulëzoi. Pa të, transatlantizmi do të kishte hasur gjithsesi vështirësi në çdo skenar. Por janë pikërisht ndryshimet e thella, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë, ato që vulosin vdekjen e transatlantizmit siç e kemi njohur.

Në Shtetet e Bashkuara, joliberalizmi dhe autoritarizmi janë në rritje. Ka ende forca të fuqishme që shtyjnë në drejtimin e kundërt dhe njeriu ka arsye të forta të besojë — dhe të shpresojë — se ato përfundimisht do të mbizotërojnë. Por edhe nëse do të ndodhte kjo, ka shumë pak elementë që sugjerojnë se Uashingtoni thjesht do t’i rikthehet të shkuarës. Kjo jo vetëm sepse do të duhet kohë dhe përpjekje e pamatë për të zhbërë dëmin që administrata Trump u ka shkaktuar normave dhe institucioneve të brendshme. Siç e dëshmojnë vende si Polonia dhe, siç jemi gati të shohim, Hungaria, nuk ka një rrugë të lehtë apo të shpejtë për t’u rikthyer drejt demokracisë liberale, sapo joliberalizmit dhe autoritarizmit i është lënë shteg i lirë të zvarritet e të helmojë sistemin.

Kjo ndodh gjithashtu sepse Shtetet e Bashkuara kanë pësuar ndryshime të thella si ekonomi, si sistem politik dhe si shoqëri, e do të vazhdojnë të ndryshojnë. Ndjenja e përkatësisë që ajo ushqente ndaj Evropës kishte rrënjë tejet të veçanta, të ankoruara në histori dhe në trashëgiminë e pjesëve të mëdha të shoqërisë — dhe veçanërisht të elitave që e qeverisën vendin për shumë dekada. Kjo po ndryshon me shpejtësi, teksa vetë përbërja shoqërore dhe gjeneracionale e vendit po pëson zhvendosje.

Thellë-thellë, evropianët e dinin se Joe Biden do të ishte presidenti i fundit transatlantist i Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo mbetet e vërtetë, pavarësisht nëse një demokrat i fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale apo nëse trumpizmi mposhtet përfundimisht. Nuk do të ketë asnjë president të ardhshëm amerikan që të kthehet triumfalisht në Evropë dhe të njoftojë: “Amerika u rikthye,” siç bëri Biden në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2021. Kushdo që do ta udhëheqë Shtetet e Bashkuara në vitet në vijim, ka shumë pak gjasa të ndiejë të njëjtën lidhje emocionale dhe ndjenjë përkatësie që treguan ish-presidentët amerikanë ndaj Evropës.

Në Evropë, nga ana tjetër, ky ndryshim i ka rrënjët më pak në sociologji dhe më shumë në psikologji. Transatlantizmi nuk qe asnjëherë i zhveshur nga mosmarrëveshjet politike. Pikërisht për shkak se lidhjet ekonomike, shoqërore, politike dhe të mbrojtjes ishin kaq të thella, raste për divergjenca të forta kishte pafund — ashtu siç ndodh shpeshherë brenda familjes. Pati gjithashtu momente kur mosmarrëveshjet çuan në një distancim të përkohshëm mes dy brigjeve, siç ishte rasti me pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Ndërkaq pati edhe momente kur evropianëve iu tha se Uashingtoni duhej të kujdesej për prioritete të tjera, thelbësisht për konkurrencën e tij me Kinën. Ky u kthye në një refren të zakonshëm gjatë presidencës së Barack Obamës dhe u bë një kor edhe më i zëshëm dhe i ashpër gjatë mandatit të parë të Trump-it. Por kjo nuk ishte detyrimisht diçka e keqe. Ajo thjesht nënkuptonte ridizajnimin e kontratës sociale mes dy anëve të Atlantikut. Një Evropë thellësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj — një Evropë që e dinte se e kishte të sigurt prapavijën nga Uashingtoni — u balancua përmes aksesit të hapur që iu dha industrisë amerikane të mbrojtjes në tregun tejet fitimprurës evropian, si dhe nga përdorimi i bazave të përbashkëta ushtarake në tokën evropiane. Siç ka demonstruar çdo luftë në Lindjen e Mesme, bazat në Evropën Jugore në veçanti janë jetike për projeksionin e fuqisë amerikane drejt jugut. Evropianët në përgjithësi i ndoqën nga pas Shtetet e Bashkuara, madje edhe kur nuk pajtoheshin thellë me zgjedhjet e bëra prej tyre, si në rastin e Irakut.

Mirëpo ajo çfarë ka ndodhur gjatë vitit e gjysmë të fundit është thelbësisht ndryshe. Nuk bëhet fjalë për një ripërcaktim të kontratës sociale transatlantike për arsye të pashmangshme apo ndoshta edhe të dëshirueshme. Bëhet fjalë për një thyerje thelbësore të besimit, e cila nuk mund të zhbëhet kurrë më. Kjo nuk manifestohet vetëm te përbuzja e thellë që Trump dhe anëtarët e administratës së tij shfaqin ndaj Evropës, apo te tarifat që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur mbi mallrat evropiane, duke i shantazhuar me thellimin e tyre sa herë që shfaqet ndonjë mosmarrëveshje krejt e palidhur mes palëve. As nuk ka të bëjë thjesht me ndikimin që presidenti rus Vladimir Putin — armiku i betuar i Evropës — ka mbi Trumpin. Mbi të gjitha, janë kërcënimet e SHBA-së për të aneksuar Grenlandën, një pjesë integrale e Danimarkës dhe rrjedhimisht e Evropës, ato që kanë rezultuar më shkatërrueset. Asnjëherë më parë Shtetet e Bashkuara nuk e kishin kërcënuar në mënyrë kaq të pacipë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi evropian.

Çfarëdo që të ndodhë pas kësaj, thyerja e besimit tashmë është konsumuar dhe ajo çka është thyer nuk mund të rikthehet dot në gjendjen e saj të mëparshme. Varësia e Evropës nga Shtetet e Bashkuara do të ulet me ritme të ngadalta, dhe padyshim do të mbeten shumë çështje për të cilat evropianët dhe amerikanët ndajnë interesa të përbashkëta e do të vazhdojnë të bashkëpunojnë. Por, ashtu siç vendet e Amerikës Latine e kanë të rrënjosur në ADN-në e tyre politike bindjen se Shteteve të Bashkuara nuk mund t’u besohet asnjëherë verbërisht dhe se mund të kthehen haptazi kundër tyre, po kjo vetëdije tashmë është mbjellë përgjithmonë edhe në Evropë. Pavarësisht nga afërsia dhe bashkëpunimi që mund të rindërtohen në të ardhmen, e shkuara e afërt do të mbetet e gdhendur në ndërgjegjen politike evropiane në forma që thjesht nuk ekzistonin më parë. Ajo do të jetë si një gjen i cili, në kohëra të qeta transatlantike mund të qëndrojë i fjetur — por që do të zgjohet vrullshëm sërish në jetë kur marrëdhënia transatlantike të vihet edhe një herë nën tension. Sistemi imunitar i Evropës, po aq në rrafshin psikologjik sa edhe në atë material, po ndryshon.

A do të thotë fundi i transatlantizmit se gjithçka është e humbur? A nënkupton kjo detyrimisht se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë më të afërta sërish? Jo, nuk do të thotë këtë. Bota ka ndryshuar, e bashkë me të edhe Shtetet e Bashkuara me Evropën. Megjithatë, interesat e ndërsjella dhe një themel i përbashkët do të vazhdojnë ta bëjnë marrëdhënien transatlantike të rëndësishme edhe në të ardhmen. Transatlantizmi, si një ideologji liberale e ngulitur brenda një periudhe të caktuar historike, ka marrë fund. Por vetë marrëdhënia transatlantike nuk është shuar. Dhe ashtu si një çift, i cili pasi kalon një ndarje të dhimbshme apo edhe një divorc të plotë, me kalimin e kohës dhe me përpjekje mund të bëhen përsëri miq të mirë — po ashtu mundet edhe Evropa me Shtetet e Bashkuara. ■

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version