Në Elbasan me datë 20 Qershor 2025, qytetarë të Elbasanit organizuan një protestë: “Për Palestinën”, në këtë protestë u denoncua gjenocidi i Izraelit ndaj popullit të Gazës dhe u protestua ndaj qeverisë shqiptare për mos mbajtjen e qëndrimeve të duhura në këtë situatë kur gjenocidi Izraelit po vazhdon.

Qytetarët protestuan edhe ndaj sistemit global i cili e ka shndërruar realitetin gjeopolitik të botës në një falsitet.

Të pranishmëve ju drejtuan me fjalime rasti një numër i konsideruar i pjesëmarrësve. Më poshtë gjeni një pjesë të fjalimit të profesor Rudian Zekthit.


Pra, së pari, desha me sqaruar këtë, që kjo nuk është një protestë ndaj Izraelit, sepse ndaj Izraelit ti nuk mund të bësh protestë. Ndaj Izraelit, qëndrimi që duhet të mbajnë burrat, n’desh shtoja gratë, por burrat, ndaj asaj që ai bën publikisht sot, qëndrimi është, ta denoncosh, ta kriminalizosh dhe po pate mundësi, dhe mundësitë në fakt duhet kërkohen, të luftosh kundër tij. Edhe jo të protestosh, se kjo s’ka sens, nuk ka kuptim. Protestosh kundër dikujt i cili vret në mënyrë gjakftohtë, pothuajse në mënyrë neutrale, sikur po bën ndonjë veprim teknik, vret fëmijë me sy të gjithë botës dhe këtë e paraqet si diçka të vetëkuptueshme.

Pra, ne protestojmë ndaj qeverisë shqiptare, ndaj institucioneve shqiptare që janë të obliguara të mbajnë qëndrim ndaj asaj që është haku i gjërave dhe jo ajo që është konjuktura apo një rend i caktuar i paraqitjes së shtrembër të gjërave. Dhe e dyta, të mbajnë, të, të protestojmë ndaj gjithë këtij sistemi global, të kryesuar dhe të ndërtuar, të kryesuar prej perëndimit, i cili e ka bërë të pamundshme për njerëzit e drejtë, për njerëzit e vërtetë, që të shfaqen dhe të mbajnë qëndrim minimumi, apo të shfaqen dhe të veprojnë për të refuzuar këtë të keqe, duke e shndërruar në një farë mënyre realitetin gjeopolitik sot në botë në një falsitet.

Kancelari i Gjermanisë, i asaj Gjermanie e cila ka shumë adhurues brenda nesh, përbrenda popullatës shqiptare, para dy ditësh, në mënyrë të pabesueshme dha një deklaratë, të pa sens, të pakuptimtë, që tha që Izraeli po bën në favor tonë, në dobinë tonë, po kryen punët e pista që ne s’i bëjmë dot vetë.

Kjo deklaratë ka mbetur pa përgjigje nga establishmenti botëror, ndërkohë që kjo është një deklaratë e turpshme. Unë dua të tërheq vëmendjen këtu që ka ngel pa përgjigje, me sa duket, brendapërbrenda Gjermanisë. Dhe me këtë doja të thoja që është një sistem i ndërtuar në mënyrë të tillë, që i lejon ato të cilët në një moment të caktuar kanë pushtetin dhe janë në krye të sistemit, që të sillen dhe të flasin në mënyrë të papranueshme për një mendje normale njerëzore, dhe mendjet e njerëzve të jenë mpirë deri në atë pikë, vullnetet e tyre të jenë neutralizuar deri në atë pikë, saqë të mos ketë asnjë reagim ndaj tyre.

Nuk shpresoj që të mblidhemi njëherë tjetër me më shumë njerëz në shesh, se kjo nuk ka kuptim. Kjo nuk është çështje e shprehjes së dëshirës. Por unë shpresoj që të mbesi gjithmonë një njeri në çdo shesh të çdo qyteti të botës, që të dali edhe si të mos ketë asnjëri përpara, dhe të thotë me zë të lartë që ajo që po ndodh në Gaza është monstruoze, është djallëzore dhe është e papranueshme për cilindo njeri që ka jetuar ndonjëherë në këtë botë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version