Popullsia është pasuria më e madhe e një vendi. Megjithatë, në 18 vjet shtetësi, Kosova po përballet me dy sfida të mëdha demografike: emigrimin masiv dhe rënien e lindshmërisë. Të dhënat e regjistrimit të vitit 2024 konfirmojnë se vendi po tkurret, po zbrazet dhe po plaket – një kombinim që po e thellon krizën demografike.
Sipas statistikave, në periudhën 2000–2024 Kosovën e kanë lënë rreth 450 mijë banorë (ndërsa burime alternative flasin për deri në 520 mijë), me një mesatare prej rreth 22 mijë personash në vit. Vetëm nga viti 2011 deri më 2024, mbi 400 mijë qytetarë kanë emigruar. Bilanci migrues ka qenë negativ me mbi 21 mijë banorë në vit.
Shqetësuese është struktura e emigrimit: rreth gjysma e emigrantëve i përkasin grupmoshave 20–40 vjeç, kontingjenti kryesor riprodhues dhe ekonomik i vendit. Emigrimet kanë marrë karakter familjar, duke përshpejtuar shpopullimin dhe humbjen e kapitalit human. Sipas sondazheve, rreth 60 për qind e qytetarëve – kryesisht të rinj – shprehin dëshirë për t’u larguar nga Kosova.
Pasojat janë të shumta: rënie e lindshmërisë, plakje e popullsisë, ngadalësim ekonomik, presion mbi sistemin pensional dhe tkurrje e sistemit arsimor. Në vitin 2024 u regjistrua numri më i ulët i lindjeve që nga fillimi i shekullit XX: 21,487 lindje, krahasuar me 38,687 në vitin 2000 – një rënie prej 44.5 për qind. Mesatarja ditore ka rënë nga 106 lindje në vitin 2000 në 59 në vitin 2024.
Norma e fertilitetit ka zbritur në 1.6 fëmijë për grua, dukshëm nën nivelin 2.1 që siguron zëvendësimin natyror të popullsisë. Ndikim të madh ka edhe fakti se lindjet jashtë vendit sot përbëjnë rreth një të tretën e totalit, krahasuar me një të pestën në vitin 2011.
Plakja e popullsisë po përshpejtohet: pjesa e qytetarëve mbi 60 vjeç është rritur nga 9.6 për qind në vitin 2011 në 16.1 për qind në vitin 2024. Ndërkohë, grupmoshat 0–19 vjeç janë zvogëluar për 25.9 për qind.
Ekspertët paralajmërojnë se pa politika të qëndrueshme migrimi dhe masa afatgjata për nxitjen e lindshmërisë, Kosova rrezikon një krizë të thelluar demografike me pasoja serioze socio-ekonomike dhe për sigurinë e vendit. Zgjidhja kërkon qasje strategjike dhe veprim urgjent, pasi e ardhmja e zhvillimit të qëndrueshëm varet drejtpërdrejt nga këto dy tregues kyç.
