Për muaj me radhë, shumëkush paralajmëroi se ofensiva e pakufizuar e Izraelit në Gaza nuk ishte vetëm një krim kundër palestinezëve, por një goditje fatale ndaj vetë idesë së së drejtës ndërkombëtare. Ajo që po testohej nuk ishte vetëm shkalla e dhunës, por pyetja themelore nëse rregullat ende vlejnë – nëse pushteti mbetet i kufizuar nga ligji, apo ligji i hap rrugë forcës brutale.

Këto paralajmërime u hodhën poshtë si ekzagjerime. Nuk ishin.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro e artikuloi qartë rrezikun: bota përballej me një zgjedhje të pamëshirshme – ose të mbronte parimet ligjore që synojnë të parandalojnë luftën, ose të shihte shembjen e rendit ndërkombëtar nën peshën e politikës së forcës. Për miliarda njerëz në Jugun Global, theksonte ai, e drejta ndërkombëtare nuk është abstraksion, por mburojë. Hiqeni atë, dhe mbeten vetëm grabitqarët.

Gaza ishte akti i parë. Jo një përjashtim, por momenti kur një doktrinë e vjetër hoqi çdo maskë. Aty nuk u vranë vetëm dhjetëra mijëra palestinezë; u vra edhe ligji. Jeta njerëzore u reduktua në bezdi, ligjshmëria në pengesë, morali në barrë.

Kjo ndodhi në sy të botës. Gjermania e armatosi. Britania e justifikoi. Franca hezitoi. Të tjerët heshtën, duke e quajtur “kompleksitet”. Institucionet që duhej ta ndalonin, e lejuan. Bota u vetëbind se shembja e ligjit mund të izolohej në Gaza. Nuk mundej.

Sot ka diçka groteske në mënyrën se si Evropa “rizbulon” të drejtën ndërkombëtare kur përmendet aneksimi i Groenlandës. Të njëjtat qeveri që shkatërruan normat ligjore dhe furnizuan armë gjatë shkatërrimit të Gazës, tani flasin me solemnitet për sovranitetin – përderisa ai është evropian.

Kjo nuk është mbrojtje e ligjit, por mall për një version të tij që i mbronte ata. Rregullat ishin të shpenzueshme kur palestinezët shtypeshin nën to; u bënë të shenjta kur u ndjenë të kërcënuar të tjerët.

Gaza shënoi momentin kur pushteti i mbështetur nga SHBA-ja hoqi edhe pretendimin e respektimit të normave. Kur ligji zbatohet në mënyrë selektive, ai pushon së qeni ligj dhe shndërrohet në leje për dhunë. Ishte vetëm çështje kohe që kjo “leje” të përdorej edhe gjetkë.

Nga Venezuela te Groenlanda, bota po hyn në një epokë të re: epokën e brutalitetit të hapur. Gaza u bë varreza e së drejtës ndërkombëtare – jo sepse ajo ishte e dobët, por sepse u varros me vetëdije, trup pas trupi, pa asnjë pasojë. Ata që sot e vajtojnë, janë të njëjtët që e ndërtuan këtë përbindësh.

Nga Soumaya Ghannoushi

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version