Zyra Kombëtare e Auditimit ka hapur një proces të rëndësishëm vlerësimi që prek drejtpërdrejt njërën nga çështjet më të ndjeshme të shoqërisë: sigurinë e nxënësve në shkollat publike të Kosovës. Në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, ZKA ka nisur auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, duke përfshirë klasat VI–XII për periudhën 2022–2025.

Ky auditim synon të shkojë përtej statistikave dhe deklaratave formale, duke analizuar realisht se sa i sigurt është ambienti shkollor dhe sa funksionalë janë mekanizmat që institucionet kanë ndërtuar për të parandaluar, trajtuar dhe monitoruar incidentet e dhunës. Në fokus nuk janë vetëm rastet e ndodhura, por edhe mënyra se si ato raportohen, menaxhohen dhe pasqyrohen në politika konkrete mbrojtëse për nxënësit.

Sipas ZKA-së, qëllimi kryesor i këtij procesi është të sigurohet që shkolla të jetë një hapësirë e sigurt dhe e përshtatshme për zhvillimin akademik, emocional dhe social të fëmijëve. Një mjedis ku nxënësi nuk ka frikë, por ndjehet i mbrojtur, i dëgjuar dhe i respektuar.

Auditimi do të përfshijë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit, si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë. Po ashtu, në varësi të nevojës, pjesë e vlerësimit mund të bëhen edhe Policia e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale në këto komuna, duke reflektuar natyrën e ndërthurur të sigurisë në shkolla.

ZKA vlerëson se auditimi do të ndihmojë në identifikimin e dobësive strukturore dhe institucionale, duke ofruar rekomandime konkrete për përmirësim. Në një kohë kur dhuna mes nxënësve dhe pasiguria në ambientet shkollore po shqetësojnë gjithnjë e më shumë prindërit dhe shoqërinë, ky proces shihet si një hap i domosdoshëm drejt rikthimit të besimit se shkolla është, para së gjithash, vend i dijes dhe sigurisë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version