Të premten, më 26 dhjetor, në orën 18:00, në sallën e seminareve të xhamisë së Namazgjasë, Klubi i Librit “Nur” do të organizojë prezantimin e veprës së njohur “Born Believers – Besimtarë të lindur”, të autorit dhe studiuesit të fushës së psikologjisë fetare, Dr. Justin L. Barrett.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përkthyesi i librit, Klajd Bylyku, si dhe hoxhë Justinian Topulli, të cilët do të mbajnë ligjërata dhe reflektime mbi përmbajtjen shkencore dhe vlerat që sjell studimi i Barrett-it në debatin bashkëkohor mbi zhvillimin natyror të besimit tek fëmijët.
Libri “Born Believers” trajton një prej temave më intriguese të psikologjisë së zhvillimit: prirjen e fëmijëve, në kultura të ndryshme, për të ndërtuar natyrshëm një besim te një fuqi hyjnore. Barrett argumenton se foshnjat, të cilat përballen me pyetje të natyrshme si: “Pse lind dielli?”, “Pse bie nata?”, “Kush më mbron?”, e përpunojnë botën me një logjikë intuitive që i orienton drejt besimit në një Krijues të gjithfuqishëm, të gjithëdijshëm dhe të mirë.
Takimi synon të hapë një diskutim të dobishëm mbi vlerën e besimit fetar, rolin e tij në zhvillimin njerëzor dhe faktin se njeriu duket të ketë një prirje të lindur për t’i kërkuar kuptim botës përmes besimit. Pas prezantimeve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në një diskutim të hapur.
Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të bashkohen në këtë aktivitet kulturor e shkencor.
