Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka folur pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Haradinaj ka konfirmuar se ai personalisht e ka votuar Bashën, duke e shpjeguar këtë vendim si një reflektim të realitetit politik të momentit.
“Ne kemi pasur një votim të lirë si grup parlamentar. Unë personalisht ia kam dhënë votën,” deklaroi Haradinaj. Ai shtoi se vendimi erdhi pasi u siguruar se Basha ishte kandidati i preferuar i Lëvizjes Vetëvendosje (VV). “I pyeta se a e keni seriozisht që ky është kandidati më i preferuar i VV-së, thanë po, dhe kështu vepruam e votuam,” tha ai.
Sipas Haradinajt, ky veprim tregon realitetin e ri politik në Kosovë. Ai theksoi se sfida e radhës për Kuvendin do të jetë zgjedhja e nënkryetarëve, një proces që pritet të jetë po aq i ndërlikuar sa edhe zgjedhja e kryetarit.