Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sërish nga Prokuroria Speciale në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për disa vepra penale.

“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z. Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale ‘Shpëlarje e parave’, ‘Shmangie nga Tatimi’ dhe ‘Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’,” ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta.

Reagimet politike nuk kanë munguar.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ironizoi me statusin e dyfishtë të Berishajt si ambasador dhe i dyshuar:

“Rreth 140.000 punëtorëve u rrezikohen vendet e punës. Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike. Po e dini kush nuk e ka këtë hall? Martin Berishaj. Pavarësisht dëshmive publike dhe aferave milionëshe, ai vazhdon të jetë ambasador me fuqi të plotë. Sepse i shërben liderit suprem. Një ditë në Prokurori, një ditë në Ambasadë. Marrëzia nuk paska kufi,” ka shkruar Çitaku.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është drejtuar ministrit Hekuran Murati duke përmendur edhe rastin e Berishajt:

“Prandaj, edhe një herë: Pse e latë EFT-në dhe NOA-n të kontrollojnë tregun? Pse u lejua ky monopol me pasoja kaq të rënda ekonomike dhe sociale? Konsultoje mikun e deputetit Kurti, z. Martin Berishajn, se sot kish ardhë për ‘vizitë’ në Prishtinë,” ka deklaruar ajo.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version