Një grevë e gjerë tre-ditore, e nisur të hënën, ka paralizuar një pjesë të madhe të Belgjikës, ndërsa sindikatat më të fuqishme të vendit protestojnë kundër reformave sociale dhe buxhetore të planifikuara nga qeveria. Sindikatat e përshkruajnë paketën e reformave si një “çmontim social” që, sipas tyre, cenon të drejtat sociale dhe rëndon edhe më shumë mbi punëtorët.
Greva ka prekur rëndë transportin publik, shkollat, spitalet dhe shërbimet komunale, ndërsa efektet e saj po shtrihen përtej kufijve, duke prekur edhe Gjermaninë. Disa nga trenat e linjës së ngarkuar Bruksel–Këln, përfshirë trenat ICE, janë anuluar për shkak të mungesës së stafit dhe ndërprerjes së lëvizjes.
Sipas agjencisë Belga, transporti publik mbetet ndër sektorët më të goditur dhe pritet që ndërprerjet të vazhdojnë deri të mërkurën, kur greva arrin kulmin. Megjithatë, pavarësisht vështirësive që po krijohen, një pjesë e qytetarëve shprehin mbështetje për lëvizjen sindikaliste.
“E mbështes grevën, edhe pse për mua nuk është e lehtë. Jam nënë dhe nesër duhet të gjej një mënyrë për t’u kujdesur për fëmijët ndërkohë që duhet të punoj. Por mendoj se është e drejtë që njerëzit të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha punonjësja Sarah Latré.
Edhe mësuesja Sofie Verschueren shprehu solidaritet me grevistët: “Duhet të punoj, por i mbështes grevat sepse reforma e pensioneve është vërtet shqetësuese. Edhe pse nuk dua t’i lë nxënësit vetëm, duhet të ngrihemi për të ardhmen tonë”.
Pas grevës së hekurudhave të së hënës, të martën lëvizjes protestuese iu bashkuan personeli i spitaleve, punonjësit e kopshteve dhe mësuesit. Gjatë ditëve në vijim, greva do të përfshijë gjithashtu punonjës të shërbimeve postare, pastrimit, mbledhjes së mbeturinave dhe transportit lokal.
Dita e mërkurë pritet të jetë më e rëndësishmja, pasi sindikatat e sektorit privat do t’i bashkohen grevës së përgjithshme kombëtare. Në këtë kuadër, aeroportet kryesore të vendit, Bruksel-Zaventem dhe Charleroi, kanë njoftuar se nesër nuk priten nisje fluturimesh.
Në qendër të pakënaqësisë qëndron marrëveshja e re buxhetore e qeverisë belge, e cila parashikon shkurtime prej 9.2 miliardë eurosh deri në vitin 2029—një plan që sindikatat e konsiderojnë të padrejtë dhe të dëmshëm për shtresat punëtore.
