Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe proceset aktuale në raport me Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani ka theksuar se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë zhvilluar në mënyrë tërësisht të lirë, të qetë dhe demokratike, duke dëshmuar edhe një herë pjekurinë politike të institucioneve dhe qytetarëve. Ajo ka theksuar se procesi i transferimit të pushtetit u krye në mënyrë paqësore, si një dëshmi e funksionimit të institucioneve demokratike.
Megjithatë, Presidentja Osmani ka nënvizuar se vazhdimi i masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm, sidomos në një kohë kur Kosova ka treguar gatishmëri të plotë për bashkëpunim konstruktiv me institucionet evropiane. Sipas saj, mbajtja e këtyre masave nuk reflekton realitetin politik në Kosovë, ndërkohë që vendi ka përmbushur të gjitha kërkesat e paraqitura nga partnerët evropianë.
Presidentja Osmani ka kërkuar nga raportuesi Terras mbështetje më të madhe në drejtim të heqjes sa më të shpejtë të masave, duke theksuar se ato po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës dhe po minojnë besimin e tyre në procesin e integrimit evropian. Ajo ka argumentuar se heqja e këtyre masave do të përbënte një sinjal të rëndësishëm pozitiv për qytetarët dhe një nxitje të fuqishme për vazhdimin e reformave në vend.
Në takim, Presidentja Osmani ka theksuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të procedohet pa vonesa të mëtejshme dhe se vendi duhet të vlerësohet në bazë të meritave. Ajo ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim të madh në fusha të rëndësishme për integrimin evropian, duke përmbushur standarde dhe kritere të cilat janë dëshmuar edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, Presidentja Osmani i ka prezantuar raportuesit Terras një sërë të dhënash nga organizatat ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën lart për performancën institucionale, sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik. Ajo ka potencuar se këto rezultate duhet të merren parasysh seriozisht në vendimmarrjen e BE-së.
Presidentja ka ritheksuar se dialogu i sinqertë dhe partneriteti me Bashkimin Evropian mbeten parësore për Kosovën, por se ky partneritet duhet të reflektojë drejtësi, transparencë dhe trajtim të barabartë.
