Policia e Kosovës ka ndaluar zyrtarin e Komunës së Pejës, Luan Gashi, pasi në një video të publikuar ai shihet duke konsumuar lëndë që dyshohet të jetë drogë, ndërsa pranë tij në tavolinë gjendej një pistoletë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar arrestimin e tij.
Sipas Nikçit, me urdhër të prokurorit, Policia ka kontrolluar banesën dhe zyrën e Gashit, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë.
Ai shtoi se Gashi aktualisht po merret në pyetje.
“Me autorizimin e prokurorit është bastisur banesa e të dyshuarit si dhe zyra e tij e punës, ku u sekuestrua një armë. I njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe po intervistohet, ndërsa pritet vendimi i prokurorit për hapat e radhës. Ngjarja ka ndodhur pas publikimit të videos në KALLXO”, tha Nikçi.
Mediumi publikoi pamje ku Gashi, zyrtar komunal në Pejë, shihet duke përdorur substanca të dyshuara narkotike.
Në tavolinë vërehet edhe një armë, për të cilën ai deklaroi se posedon leje.
“Po, unë jam udhëheqës i Sektorit për Çështje Pronësore në Komunën e Pejës. Jam unë në ato pamje”, ka thënë Gashi përmes një mesazhi pas një telefonate.