Po sikur t’ju them se ndjesia e mërzisë gjatë adhurimit mund të jetë, në fakt, një mundësi për rritje shpirtërore?

Më ndiqni.

Gogësini teksa ngriheni për t’u falur. Thoni “estagfirullah” dhe i kujtoni vetes se po qëndroni përpara Krijuesit tuaj e duhet të jeni më të vëmendshëm… por sërish e keni të vështirë.

Namazi ju është bërë i mërzitshëm.

Merrni një tjetër mesazh në WhatsApp nga një mik rreth një fushate grumbullimi fondesh për një tragjedi personale a komunitare. Klikoni, dhuroni minimumin e mundshëm thjesht për të hequr ndjesinë e fajit, dhe vazhdoni ditën tuaj.

Dhënia e sadakasë ju është kthyer në një rutinë të mërzitshme.

Një tjetër e hënë, një tjetër e enjte, një tjetër ditë agjërimi. Tashmë jeni mësuar me ndjesinë e urisë. Por nuk e ndjeni më atë “zgjim” shpirtëror që ju jepte dikur agjërimi.

Agjërimi ju është bërë i mërzitshëm.

Nëse keni përjetuar ndonjë nga këto më sipër, nuk jeni vetëm.

Pse ndiejmë mërzi në adhurimet tona?

Për dikë që përpiqet sinqerisht t’i afrohet Allahut, unë e shoh këtë mërzi si një rrip “toke të thatë” mes dy oazeve shpirtërore. Oazi i parë ishte momenti kur ata shijuan për herë të parë ëmbëlsinë e atij adhurimi. Kur namazi ishte i thellë, kur agjërimi sillte qartësi mendore, kur dhikri ua mbushte zemrën me qetësi. Oazi i dytë është një nivel edhe më i thellë adhurimi, i cili i pret ata nëse arrijnë ta kalojnë këtë “thatësirë” me vendosmëri dhe sinqeritet.

Një mënyrë tjetër për ta parë këtë është ta krahasoni këtë mërzi me kohën kur stërviteni rregullisht në palestër, por nuk po shihni më të njëjtat rezultate (forma fizike) si në fillim. Keni arritur një fazë ngecjeje dhe tani ndodheni në atë pikë ku gjërat as nuk po përmirësohen, por as nuk doni të bëni hapa pas. A do ta linit palestrën, apo do t’i besonit procesit dhe do të vazhdonit të stërviteshit?

Mërzia në adhurim mund ta vrasë marrëdhënien tonë me Allahun, ose mund ta lartësojë atë. Shejtani dëshiron të bëjë aleancë me nefsin (egon) tuaj të mërzitur dhe t’ju pëshpërisë: 

“Nuk po e ndjen më, atëherë pse po e mundon veten?”

Por, po sikur kjo mërzi të jetë në fakt një ftesë nga Allahu për ta adhuruar Atë me një sinqeritet më të thellë? Ndonjëherë, Allahu e tërheq mbrapsht ëmbëlsinë e adhurimit për të nxjerrë në pah atë që fshihet vërtet në zemrat tona: a po adhurojmë për shkak të “ekstazës” shpirtërore, apo për vetë Allahun? Herë të tjera, Ai mund ta largojë këtë ëmbëlsi për shkak të mëkateve tona, duke na thirrur butësisht drejt pendimit dhe faljes së Tij.

Pavarësisht se si ndiheni, nëse vazhdoni ta adhuroni Allahun edhe kur ndjeni mërzi e përtesë, ju po tregoni sinqeritetin më të lartë. Sepse nuk po e bëni thjesht ngaqë ju bën të ndiheni mirë; po e bëni për Allahun, pavarësisht nëse ju jep një ndjesi të mirë apo jo – dhe kjo kërkon një besim të vërtetë.

Si të përballemi me mërzinë shpirtërore

1. Pranojeni atë ✅
Pranojeni faktin që po ndjeni mërzi, por mos lejoni që mungesa e “shijes” në adhurimet tuaja t’ju vrasë dëshirën për të adhuruar Allahun.

2. Përtërini besimin tuaj ☝️
Profeti Muhamed ﷺ na ka mësuar:
“Përtërini besimin tuaj duke thënë shpesh ‘La ilahe il-lallah’ (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), sepse besimi vjetërohet (zbehet) në zemër ashtu siç vjetërohen rrobat nga përdorimi i shpeshtë.” (Ahmedi)
Kur adhurimi juaj kthehet në diçka mekanike, mbusheni zemrën tuaj me dhikër (përmendje të Allahut).

3. Shtoni larmi në adhurimin tuaj 
Ju është bërë namazi i mërzitshëm? Provoni të shkoni në një xhami tjetër nga ajo që frekuentoni zakonisht. Lexoni sure të tjera gjatë faljes. Bëni një dua specifike në sexhde për diçka për të cilën keni dëshpërimisht nevojë për ndihmën e Allahut.

4. Sfidoni veten 
Atë sadakanë që po e jepni thjesht nga ndjesia e fajit? Dyfishojeni! Ose akoma më mirë, kthejeni në një sfidë duke ftuar 10 kontakte nga telefoni juaj t’ju bashkohen. Ajo rutina e agjërimit që është bërë e rëndomtë? Provoni agjërimin e Profetit Daud (alejhi selam). Ai agjëronte një ditë po, një ditë jo. Ndonjëherë, nefsi ynë ka nevojë për një sfidë shpirtërore për t’u zgjuar nga gjumi i thellë.

5. Bëni një “rinisje” (reset) të qëllimshme 
Ndonjëherë keni nevojë për një pushim – jo nga adhurimi, por nga rutina juaj. Udhëtimi, qoftë edhe diku pranë, mund të ndihmojë në rinisjen e gjendjes suaj shpirtërore. Ndryshoni vendin ku faleni në shtëpi. Lexoni Kuran në një park në vend të këndit tuaj të zakonshëm. Zemrat tona kanë nevojë për mjedise të reja për të rizbuluar ëmbëlsinë e zakoneve tona.


Mos harroni, ky është një rrugëtim jetësor. Allahu thotë në Kuran:

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë e vërteta e sigurt (vdekja).”
(Kuran 15:99)

Është e natyrshme të ndiheni të mërzitur ndonjëherë, ashtu siç është e natyrshme për një maratonomak të ndiejë se është “përplasur me murin” pasi ka vrapuar 30 kilometra. Por kampionët nuk ndalojnë së vrapuari vetëm pse bëhet e vështirë; ata e çajnë murin, pavarësisht vështirësisë.

Herën tjetër kur adhurimi t’ju duket i thatë (pa shije), mos u dëshpëroni. Buzëqeshni duke e ditur se jeni në një shoqëri të mirë; çdo besimtar i sinqertë ka ecur në këtë rrugë. Dhe diku brenda asaj mërzie, Allahu po e përgatit zemrën tuaj për nivelin e radhës të ëmbëlsisë, insha’Allah.

Allahu na dhëntë sinqeritet në adhurimet tona, qoftë kur ndiejmë ëmbëlsi, qoftë kur ndiejmë mërzi. Amin.

Nga Productivemuslim

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version