A ju ka qëlluar të ruani qetësinë
Kur gjitha fjalët e atyre përreth jush
Gërvishten nëpër ca tinguj rrëqethës
Përzier me inate idhnake
Që udhëtojnë ngarkuar me karvanë terri
Dhe lypin t’iu rrëmbëjnë të gjithin
Larg viseve të dritës?!
E nëse pas gjithë kësaj furie
Qëndruat në kutinë tuaj të paqtë
Kuptuat se qetësia është më e kthjellët
Sesa të gjitha anatemat e mugëta.
A ju ka qëlluar të rrini në heshtje
Kur dhjetëra shigjeta helmonjëse
Të atyre që të rrethojnë si miq
Udhëtojnë për në gjoksin tuaj
Dhe secila prej tyre, kur ngulet,
Meriton nga një klithmë të zgjatur.
E sërish, kur i shkul një nga një,
Secila kërkon të njëjtën klithmë?!
E nëse pas nxitimit majëmprehët
Qëndruat në këndin e pëshpëritjes
Kuptuat se heshtja është më e fortë
Sesa të gjitha klithmat bashkë.
