Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë zhvilluar intensively kërkime për gjetjen e personave të zhdukur nga lufta, një nga plagët më të hapura të shoqërisë kosovare. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur në prezantimin e raportit vjetor se gjatë këtij viti janë kryer gërmime në gjithsej 32 lokacione ku ka pasur dyshime se mund të gjenden mbetje mortore të viktimave të luftës.
Nga këto gërmime, 16 lokacione kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore, për çka pritet të kryhen proceset e identifikimit përmes analizave forenzike. Ndërkohë, në 15 lokacione nuk është gjetur asgjë, ndërsa një lokacion është vlerësuar se nuk paraqet interes, duke mos pasur indikacione të mëtejshme për vazhdim të punimeve.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve në terren, procesi i zbardhjes së fatit të të zhdukurve mbetet i vështirësuar. Sipas komisionit, sfida më e madhe vazhdon të jetë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia, e cila sipas autoriteteve kosovare refuzon të ofrojë informacione të besueshme dhe të hapë arkivat shtetërore që lidhen me varrezat masive dhe zhdukjet e kryera gjatë luftës.
Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, ka deklaruar se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për çështjen e të zhdukurve dhe madje ka tërhequr dakordimin për zbatimin e tyre, duke mos marrë pjesë në tri takime të thirrura nga Bashkimi Evropian gjatë vitit. Sipas tij, pala serbe kërkon ndryshimin e termave të referencës, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë dhe raportimin e mospunës në instancat evropiane.
“Ne nuk do të pajtohemi me këtë dhe do të vazhdojmë presionin që Serbia të hapë arkivat e klasifikuara, të cilat besojmë se përmbajnë të dhëna për 1.571 persona që ende figurojnë të zhdukur”, ka theksuar Hoti.
Një ndër rastet më të ndërlikuara të kërkimeve është lokacioni Kozhle në Serbi, ku ekipi kosovar është përballur me vonesa të mëdha dhe ndërprerje të shpeshta të gërmimeve nga autoritetet serbe. Dyshohet se në këtë zonë gjendet një varrezë masive, por punimet janë bërë pothuajse të pamundura për shkak të një deponie mbeturinash mbi 15 metra lartësi, ngritur pikërisht mbi vendin ku mund të jenë eshtrat. Për këtë arsye, gërmimet janë ndërprerë për këtë vit pa një datë të caktuar për rifillim.
Procesi i kërkimit për të zhdukurit mbetet një prioritet human dhe institucional për Kosovën, ndërsa familjet vazhdojnë të presin me shpresë përgjigje dhe drejtësi për më të dashurit e tyre.
