CEO i kompanisë gjigante Nvidia, Jensen Huang, deklaroi se modelet e inteligjencës artificiale të zhvilluara nga Deepseek, Alibaba dhe Tencent janë të “klasit botëror”, duke theksuar se AI po transformon rrënjësisht zinxhirët globalë të furnizimit.
Këto komente vijnë gjatë pjesëmarrjes së Huang në një ekspozitë në Kinë, vetëm një ditë pasi Nvidia njoftoi rifillimin e shitjeve të çipit të saj të fuqishëm H20 në tregun kinez. Kjo është hera e tretë që Huang viziton Kinën këtë vit, në një kohë kur kompania e tij gjendet mes dy superfuqive ekonomike që garojnë për epërsi në fushën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar.
Të mërkurën, Huang pritet të zhvillojë një takim me dyer të mbyllura në Pekin, ndërsa gjatë fjalës së tij në ekspozitë ai vlerësoi tregun kinez si “tejet inovativ, masiv dhe dinamik”.
Nvidia është aktualisht kompania më e vlefshme në botë, me një kapitalizim tregu prej 4.162 trilionë dollarësh. Një ditë më parë, Sekretari Amerikan i Tregtisë njoftoi se Nvidia mund të rifillojë zyrtarisht shitjet e çipave H20 në Kinë, si pjesë e negociatave në vazhdim me Shtetet e Bashkuara mbi eksportet e teknologjive të ndjeshme dhe qasjen ndaj metaleve të rralla.
Sipas rregulloreve të reja, çdo porosi për çipet AI të Nvidia duhet të dërgohet fillimisht për aprovim në qeverinë amerikane, përpara se të nisë shpërndarja në tregun kinez.