Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka bërë të ditur se ka përfunduar ngjyrosja e obeliskut për këtë vit, duke shpalosur edhe simbolikën që përcjell instalacioni në edicionin e radhës.
Përmes një njoftimi publik, ai ka sqaruar se tema e sivjetme përfaqësohet nga një varg konceptesh që përkufizojnë rrugëtimin shtetformues:
Nationhood / Shtetësi, Endurance / Qëndresë, Work / Punë, Bravery / Trimëri, Obligation / Obligim, Resilience / Rimëkëmbje, New Beginnings / Fillime të reja.
Sipas Ismailit, koncepti i këtij viti i kushtohet Kosova dhe rrugës së saj drejt lirisë e ndërtimit të shtetit përmes luftës çlirimtare, duke theksuar njëkohësisht edhe vlerat e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si aleatin kyç në mbështetje të kësaj lirie.
“Kushtuar Kosovës, rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kyç në mbështetjen e kësaj lirie”, ka shkruar ai.
Në përmbyllje të mesazhit është theksuar edhe simbolika numerike e këtij viti — “KOSOVA 18” dhe “USA 250” — që lidhet me përvjetorët përkatës dhe me idenë e vazhdimësisë historike, partneritetit dhe fillimeve të reja që monumenti synon të përcjellë çdo vit.
