Veturat gjermane vazhdojnë të jenë simbol statusi edhe për 1.45 miliardë njerëz në Indi. Pikërisht për këtë arsye, prodhuesit gjermanë të automobilave e kanë pritur me interes të madh një marrëveshje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Indisë, e cila parashikon ulje të ndjeshme të tarifave doganore.
India është aktualisht vendi më i populluar në botë dhe ka shënuar vitet e fundit një rritje ekonomike mbresëlënëse prej gjashtë deri në shtatë përqind në vit. Një klasë e mesme në zgjerim dhe një popullsi e re, gjithnjë e më e pasur, e bëjnë tregun indian veçanërisht tërheqës për industrinë gjermane të automobilave. Sipas Konstantin Gall, konsulent në EY Parthenon, marrëveshja e re e tregtisë së lirë me BE-në përbën një mundësi reale për hapjen e tregjeve të reja.
Në fazën e parë, tarifat doganore për disa automjete të importuara, të cilat aktualisht arrijnë deri në 110 përqind, pritet të ulen në 40 përqind dhe më pas në 10 përqind. Kjo do të vlejë për një kuotë prej 250 mijë automjetesh në vit. Ndërkohë, tarifat për pjesët e makinave pritet të hiqen plotësisht brenda pesë deri në dhjetë vjetësh.
Ekspertët theksojnë se tregu indian ka nevojë të veçantë për SUV dhe automjete më të fuqishme, pasi infrastruktura rrugore është larg standardeve evropiane. Megjithatë, marrëveshja shihet edhe si një “shpatë me dy tehe”. Sipas Christoph Stirmer, një rritje e eksporteve nga Evropa mund të vërë në pikëpyetje zgjerimin e fabrikave që prodhues gjermanë, si Audi, kanë tashmë në Indi.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është orientimi i Indisë drejt elektromobilitetit, kryesisht për shkak të ndotjes së rëndë të ajrit në qytete të mëdha. Elektrifikimi po nis me skuterë, motoçikleta dhe autobusë, ku disa qytete tashmë kanë kaluar plotësisht në transport publik elektrik. Shteti po e mbështet këtë strategji përmes lehtësimeve tatimore dhe subvencioneve.
Megjithatë, tregu indian dominohet nga prodhuesit vendas, japonezë dhe koreano-jugorë, të cilët po investojnë miliarda në prodhim lokal. Pavarësisht konkurrencës së fortë, ekspertët mbeten optimistë se prodhuesit gjermanë kanë ende hapësirë për t’u ripozicionuar në një treg që po bëhet gjithnjë e më kërkues dhe që nuk duhet humbur nga vëmendja.
