VETES DHE TY
Në vështrimin e andjes tënde,
Vija e horizontit ngaherë,
I bën bashkë qiellin me tokën,
Nëpër ca drithërima të lakuara,
Por pa i bashkuar,
I ndan dallgëzimet e kaltërta të detit,
Prej kaltërsivetë brishta të qiellit,
Me një vijë të drejtë e të hollë,
Por pa i ndarë.
Në vështrimin e kërshërisë tënde,
Vija e horizontit në fillim e fsheh,
Gjysmën e kuqerremtë të diellit,
Pastaj e merr diku thellë,
Nëgjirin e perëndimit,
I ndan yjet e spërkatura lartësive,
Prej terrnajës së shtrirë poshtë,
Me vezullitje shkëndijash drite,
Horizonti mund edhe të preket,
Me thellësinë e yjësuar të ëndrrave,
Me qiellin e pamatë brenda teje.
Nëse me ballin e andjes dhe kërshërive,
I zbret butë qiejt e tu,
Derisa paqësisht të prekin tokën,
Horizonti bëhet një pikë drite,
Më e madhe se sa ëndrra jote,
Por pa qenë ëndërr,
Më e paqtë se sa gjumi i dritësuar,
Por pa qenë gjumë.
Se nuk është dritë,
Vetëm pse është ditë,
Siç nuk është terr,
Vetëm pse është natë.
E nëse nëpër venat e tua,
Pulsojnë ngushtica terrnaje,
Nuk ka diell që mund t’i ndriçojë,
As horizotet,
As shtigjet e kthjelltësisë,
As dritësinë e hapsirës së mbërritjes,
E as ka yll në qiellin tënd,
Që do mund të të tregoje,
Se gjerësitë dhe lartësitë,
Janë të gjitha aty,
Përreth dhe brenda teje.
E nëse thellë nëgjoksin tënd,
Rigëtin drita e çiltërsisë së madhe,
Nuk ka dendësi nate,
Siç nuk ka mbulesë terri,
Që mundet të t’i fshehë,
As shtegun për hapin që vjen,
As bukurinë e lartësive të shpresës,
As horizntin e ndarjes dhe bashkimit,
As pamjen e kthjelltë të takimit,
Me qëllimin e fundëm.
Se nuk është dritë,
Vetëm pse është ditë,
Siç nuk është terr,
Vetëm pse është natë.
FATMIR BAÇI
Share.

Comments are closed.

Exit mobile version