Një 40-vjeçar, me inicialet D.A, ka ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit pasi ka marrë lëndime të rënda në një incident me traktor në fshatin Bresanë të Dragashit.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, fillimisht 40-vjeçari u dërgua nga vëllai i tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash. Më pas, për shkak të gjendjes së rëndë, ai u transferua në Spitalin e Prizrenit, ku ndërroi jetë.
“Sot, më 18 korrik 2025, rreth orës 09:50, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, Dragashë se një person mashkull, D.A. (40 vjeç), është sjellë në qendër nga vëllai i tij me lëndime të rënda trupore. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur. Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta”, tha Bytyqi.
Policia reagoi menjëherë, doli në vendin e ngjarjes, siguroi zonën dhe njoftoi njësitet hetimore përkatëse.
Bytyqi shtoi se në vendngjarje ishte angazhuar edhe prokurori kujdestar, i cili me urdhër të tij e nisi rastin si “Vdekje e dyshimtë”. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.