Tensionet kanë qenë të larta mes udhëheqjes ushtarake dhe asaj politike lidhur me fazën e ardhshme të luftës
Ushtria izraelite ka paralajmëruar qeverinë se zbatimi i kërkesave të saj për të shkatërruar të gjithë qytetin e Gazës mund të zgjasë disa muaj, potencialisht më shumë se një vit, raportoi gazeta izraelite Haaretz.
Në fillim të këtij muaji, qeveria izraelite miratoi një plan për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës dhe për ta shkatërruar atë si mbi tokë ashtu edhe nën tokë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, të premten paralajmëroi se qyteti i Gazës “do të bëhet si Rafah dhe Beit Hanoun” nëse Hamasi nuk dorëzohet, duke iu referuar dy qyteteve që janë pothuajse plotësisht të fshira nga ushtria izraelite.
Izraeli këtë javë thirri dhjetëra mijëra rezervistë ndërsa vazhdoi me planin e tij për të kapur qendrën më të madhe urbane të Gazës, pavarësisht kritikave ndërkombëtare për një operacion që ka të ngjarë të detyrojë zhvendosjen e shumë më tepër palestinezëve.
Sipas Haaretz, ushtria izraelite tha se një operacion i tillë në shkallë të gjerë do të shkaktonte një krizë më të rëndë me njësitë rezervë, mes rënies së pjesëmarrjes dhe moralit të ulët.
Ushtria ka thirrur rreth 60,000 rezervistë për t’u paraqitur më 2 shtator, raportoi gazeta izraelite. Shumica pritet të zëvendësojnë forcat e rregullta në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në kufirin verior, duke lejuar që ato trupa t’i bashkohen operacionit në qytetin e Gazës.
Shefi i ushtrisë, Eyal Zamir, i paraqiti një plan qeverisë, duke deklaruar se forcat izraelite nuk do të nisin një sulm të madh në qytetin e Gazës derisa të krijohet një “zonë humanitare”.
Ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërkuar që ushtria të përshpejtojë ofensivën e saj në qytetin e Gazës, Zamir tha se operacionet do të fillojnë pasi të kryhen përgatitjet e nevojshme operacionale dhe ligjore.
Tensionet kanë qenë të larta mes udhheqjes ushtarake dhe qeverisë lidhur me fazën tjetër të luftës.
Në javët e fundit, ministrat izraelitë të ekstremit të djathtë janë përplasur gjithnjë e më shumë publikisht me Zamir lidhur me planin e Netanyahut për të pushtuar Gazën, për të cilin ushtria ka paralajmëruar se do t’i stërmundonte forcat dhe do të rrezikonte pengjet.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i ka kërkuar Netanyahut të shkarkojë shefin e ushtrisë, përveçse nëse ai “njofton menjëherë se po zëvendëson ‘kosheren e tij politike të ekstremit të majtë'” të këshilltarëve.
“Kur sheh se cilët janë njerëzit e afërt me shefin e shtabit, është e kuptueshme pse ai po kundërshton me të gjitha forcat planin tonë për të pushtuar Gazën,” tha Ben Gvir.