Universiteti i Prishtinës ka ndërmarrë një hap të ri drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke diskutuar mundësinë e ofrimit të kursit të gjuhës hungareze për studentët e tij. Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbime Akademike, prof. Rozafa Basha, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan Dux, si dhe sekretarin e parë të ambasadës, Aron Kerékgyárto, për të shqyrtuar modalitetet e kësaj nisme.

Gjatë takimit u diskutua sjellja e një lektori të gjuhës hungareze, i cili do të ofronte kurse në kuadër të Qendrës së Gjuhëve pranë Fakultetit të Filologjisë. Po ashtu, u trajtua edhe mundësia e hapjes së një lektorati të plotë të gjuhës hungareze në të ardhmen, si pjesë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet UP-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Hungari.

Universiteti i Prishtinës rikujtoi se gjatë vizitës së parë zyrtare të ambasadorit Dux në Rektorat, në tetor të këtij viti, kishte nisur diskutimi për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe për krijimin e mundësive të reja studimore për studentët kosovarë, përfshirë këtu edhe ofrimin e kurseve të gjuhës hungareze. Takimi i sotëm shërbeu për konkretizimin e këtyre ideve dhe për shqyrtimin e hapave të mëtejshëm.

Në takim morën pjesë edhe prof. Milote Sadiku, prodekane për bashkëpunim ndërkombëtar në Fakultetin e Filologjisë, dhe prof. Lindita Sejdiu, udhëheqëse e Qendrës së Gjuhëve. Ato prezantuan strukturën e organizimit të kurseve të gjuhëve të huaja, kushtet e punës për lektorët, si dhe aspektet teknike e administrative të cilat do të duhej të merren parasysh para angazhimit të një mësimdhënësi nga Hungaria.

Palët diskutuan gjithashtu afatet kohore më të përshtatshme për fillimin e programit, nevojat logjistike, si dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj nisme në kuadër të Qendrës së Gjuhëve. Sipas UP-së, zgjerimi i ofertës gjuhësore dhe bashkëpunimeve të tilla ndërkombëtare mbetet një ndër prioritetet e institucionit, me synimin që studentëve dhe stafit t’u ofrohen më shumë mundësi për zhvillim akademik dhe kulturor.

“Qendra e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë po e zgjeron vazhdimisht ofertën e saj të gjuhëve të huaja, ndërsa UP po forcon më tej bashkëpunimin ndërkombëtar për të rritur mundësitë akademike për studentët dhe stafin”, thuhet në njoftimin e universitetit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version